Raportuesja e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se do ta mbështesë propozimin e Qeverisë që Kosova të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.
Në një shkrim në Twitter, Cramon shkroi se Kosova dhe qytetarët e saj e meritojnë qasjen në mekanizmat e Evropës.
Po ashtu, edhe themeluesi dhe kryesuesi i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus ka thënë se është momenti që Kosova të jetë anëtare e Këshillit të Evropës.
Të hënën gjatë ditës, ai shkroi në llogarinë e tij në Twitter se mbështetja e politikave të jashtme të Bashkimit Evropian dhe të Britanisë së Madhe nga Kosova duhet të shpërblehet me anëtarësim në KE.
“Është e çuditshme pozita e Kosovës jashtë Këshillit të Evropës. Kosova mbështet politikën e jashtme të Bashkimit Evropian dhe të Britanisë së Madhe. Do të ketë vota në BE për ta pranuar atë. Bëjeni tani. Vëreni në votim pranimin e Kosovës”, ka theksuar Knaus.