Publiku francez u trondit nga lajmi se në moshën 29-vjeçare, një lojtar që luajti në finalen e Botërorit pak më shumë se një muaj më parë sot i dha fund karrierës së tij në kombëtare.
Pas përfundimit të Kupës së Botës, kombëtarja franceze humbi portierin Hugo Lloris, i cili praktikisht u çimentua në pozicionin mes shtyllave për gati një dekadë, por duke pasur parasysh moshën e tij dhe thirrjet gjithnjë e më të zhurmshme të publikut që dikush tjetër të merrte mundësinë, lamtumira e tij në Francë nuk befasoi askënd.
Krejt ndryshe është me Raphael Varane, i cili sot në moshën 29-vjeçare deklaroi se po i jep fund karrierës së tij kombëtare dhe se do t’i përkushtohet vetëm klubit të tij.
“Përfaqësimi i vendit tim ishte një nga nderimet më të mëdha. Mendova për këtë vendim me muaj të tërë dhe vendosa se ishte koha e duhur për të thënë lamtumirë. Do të më mungojnë këto momente, por po vjen koha për një brez të ri. Nga thellësia e zemrës sime, faleminderit!”, shkroi Varane.
Varane bëri gjithsej 93 paraqitje për Francën, si dhe u paraqit edhe në ndeshjen finale të Kupës së Botës të vitit të kaluar kundër Argjentinës. Ai ishte një anëtar i gjeneratës së artë që fitoi titullin e Kupës së Botës në vitin 2018 dhe gjithashtu fitoi Ligën e Kombeve me Francën në 2021. Gazeta Le Parisien raporton se Varane thjesht ndjeu se orari i futbollit ishte shumë i ngarkuar këto ditë dhe se donte të kalonte kohën e lirë gjatë pushimeve të ekipit kombëtar me familjen e tij, transmeton Fol Drejt.