Njëri ndër artistët më të dashur të publikut dardan, Çun Lajçi, pas vizitës që kreu në Shkup, Tetovë dhe Gostivar, së fundi ka vizituar edhe Dibrën e Nëntë Maleve dhe dy lumenjve, informon foldrejt.com. Atij natyrisht nuk mund t’i shpëtonte bukuria gjarpëruese e lumit të Radikës, shikimi kërcënues i maleve të Korabit, por afërmendsh edhe pesha e rëndë e historisë shqiptare që kanë përjetuar këto vise.
Në vijim Foldrejt.com, ju sjell shkrimin e plotë të artistit Çun Lajçi.
-Liqenin e Mavroves e kalova shpejtë. Jo pse ia lëshova benzit kryet, po pse mendet m’fluturuen kodrinave, t’mbushuna me ski-lifta, ku kullosin mija berre t’rrethueme me tufa qensh Sharri.
Ashtu i pashë atë verë kur po e filmonim “Kohën e Kometës” derisa po ecja n’sandale barit t’shkurt, që barijtë e thërrasin kripç.
S’po m’shkonte mendja të gjarpijtë që mund t’kafshonin, po me bisht t’synit po i përvjedhsha qentë, mos helbete po m’turreshin si ujqët.
Por zemra po m’dridhej nga qentë që m’shikonin mos po futesha n’tufat e deleve e barijtë s’shiheshin me sy që ta kërkoja ndihmen e tyne. Vetëm fishkëllimat ndëgjoheshin e zani i shterun i kavajve.
Galiçniku s’dukej kurkund n’sfond e rudinat s’kishin t’sosun e atje po m’priste nji ekipë e tanë aktorësh, diku të nji kullë e braktisun me dekada!
Po i thash, Hajredin Pasha e hallakati me topa, prej inatit që ia vranë taborret me ushtri, dhe qeshëm!
Ani de, veç hapi sytë se mos po t’del Isfuf Xhelili, ajo arrusha e maleve, e t’gjunë n’Radikë ty e Hajredinin, e mandej Haxhi Vebi Dibra e ngritë flamurin n’Vlonë pa ty!
Jo, se e kam Nexhmie Xhuglinin n’veturë e qet pushkë për mua ia ktheva dhe prap qeshëm.
Dhe nji copë rrugë e shkelëm pa folë!
Vërtetë e dhimbshme. Fituesi i festivalit të Dibrës nesër do t’jetë shitësi i librave të Skenderbeu. Po biri i saj do t’jetë nesër i qëndisun me librat e Çunit!
Por s’asht dhimbje e madhe kjo. Ma e madhe asht harresa. Kush e kujton ma Koxhaxhikun, katundin e vogël mbi Dibër, shtëpinë ku e kaloi fëmininë Mustafë Kemajl Ataturku?
Edhe për Gjergj Gjonin s’flasim si për kodrat e Kosovrastit, jo se aty nxjerret guri kristal i gipsit me t’cilin gravojmë kullat!
Flasim për Banjon me ujin termal e s’na bie n’mend Aqif Lleshi e Hasani, as Dibra. Luksi i “hakërrimit” na i mori mendet e vatani shkoi për lesh!
Ndalem e kujtohem.
Prit, se njeni m’ka shkrua: Kthehu ne t’majtë, pastaj ne t’djathtë e para ka me t’dalë Hotel Kolonja’s!
Dhe turri i ndalet benzit gjerman para restorantit t’Albertit.
Bujrum artist m’thotë se ke ardhë të pasardhësit e Shahin Kolonjes, atij pjesëmarrësit t’Alfabetit të Manastirit!