Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, reagoi gjatë ditës së djeshme në Facebook, duke shprehur shqetësimin e saj ndaj përshkallëzimit të tensioneve në veri të Kosovës.
Xhaçka u bëri thirrje autoriteteve serbe që t’i largojnë barrikadat, përcjell Fol Drejt.
“Po ndjekim me keqardhje minutë pas minute shfaqjen e një krize të tejzgjatur në mënyrë artificiale në veri të Kosovës dhe jemi thellësisht të shqetësuar nga përshkallëzimi i tensioneve.
Barrikadat që janë ngritur në veri, jo prej ndonjë vale zemërimi popullor, por nga një grup kriminelësh famëkeq, nuk po pengojnë thjesht vijimin normal të jetës. Ato janë po ashtu skena që të kujtojnë ditët e errëta të viteve 1990 të cilat rajoni ynë i ka lënë pas njëherë e mirë bashkë me ish Jugosllavinë që shkoi e vate.
Për pak vjen viti 2023! Kjo nuk është koha për të bërë kërcënime ushtarake apo për sulme të papranueshme kundër Policisë së Kosovës, KFOR dhe Policisë së EULEX. Kjo është koha për dialog dhe bashkëpunim. Kjo përballje e rrezikshme duhet të marrë fund dhe autorët duhet të nxirren përpara drejtësisë.
Ne jemi me Kosovën në këtë situatë të vështirë dhe i bëjmë thirrje autoriteteve serbe të mos i justifikojnë as barrikadat e as grupet kriminale që refuzojnë t’i largojnë ato. Të luash me zjarrin është një ide shumë e keqe për të ardhmen e të gjithë fëmijëve tanë”, u shpreh Xhaçka.
Mirëpo kjo deklaratë e ministres Xhaçka ka nxitur reagimin e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili përmes një deklarate ka thënë se ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, po e inkurajon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, “që të vazhdojë me provokime”.
“Ajo asnjë fjalë nuk i ka kujtuar Kurtit se ka obligim ndërkombëtar të zbatojë Marrëveshjen e Brukselit, Rezolutën 1244 dhe të gjitha dokumentet tjera relevante, obligimin për formimin e Unionit të Komunave Serbe, për të mos dërguar njësitet të armatosur shqiptare në veri dhe jo të arrestojnë serbët vetëm se janë serbë”, është shprehur Daçiq për median serbe Tanjug.
Daçiq gjithashtu barrikadat i ka quajtur “rezistencë politike paqësore kundër terrorit ndaj popullit serb”, të cilin sipas tij po e bën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti./FolDrejt/