Kryeministrja Ana Brnabiq prej ditësh ka thënë se është e gatshme të japë dorëheqje dhe nëse kjo ndodh realisht, ministri i Jashtëm dhe kreu i SPS-së, Ivica Daçiq është në garë si pasardhës i saj, mëson Nova.rs, transmeton Fol Drejt.
A do të jetë kështu ndoshta do të mësojmë tashmë sonte, kur presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe Ana Brnabiq do t’i drejtohen publikut.
Vuçiq dhe Daçiq kanë pasur një takim dje, të cilin kryetari i SPS-së e ka vlerësuar si “shumë të mirë”. Të dy kanë ndarë informacionin për atë takim në Instagram.
“Uniteti kombëtar dhe stabiliteti politik janë interesat më të rëndësishme kombëtare dhe shtetërore. Një bisedë shumë e mirë me presidentin Aleksandër Vuçiq”, ka shkruar Daçiq në Instagram.
Vuçiq deklaroi se ka pasur një bisedë me kreun e SPS-së “për të ardhmen e Serbisë, planet, programet dhe masat e përbashkëta”.
“Nesër mbrëma do të prezantojmë një pjesë të asaj për të cilën kemi punuar shumë me javë të tëra”, tha ai.
Nuk përjashtohet që mazhoranca të vendosë për zgjedhje të posaçme, por sipas informacioneve tona, rindërtimi i Qeverisë është një opsion më real në këtë moment.
Gjithashtu spekulohet se ardhja e Daçiqit në krye të qeverisë do të shërbente edhe si një argument i mirë për anëtarësimin në “Lëvizjen për Popullin dhe Shtetin” të Vuçiqit, pasi një pjesë e socialistëve janë kundër anëtarësimit në atë organizatë.
Ndryshe, paraprakisht ishte paralajmëruar se presidenti i Serbisë do të jetë i pranishëm në seancën e Qeverisë të enjten, ku do të merren “vendimet shumë të rëndësishme, strategjike që do të përcaktojnë të ardhmen e vendit”./FolDrejt/