Kryediplomati Serb Ivica Daçiq, i cili njëherësh është edhe Sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, tha sot se situata e sigurisë në Serbi është stabile, por se ato mund të komplikohen, varësisht nga rrjedha politike, transmeton Fol Drejt.
Sipas mediave serbe, në një deklaratë për shtyp pas seancës së Byrosë për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë, Daçiq tha se Byroja i jep mbështetje pa rezerva përpjekjeve të Presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në procesin e negociatave me Kosovën.
Ai vuri në dukje se situata në botë është “shumë komplekse dhe në prag të një konflikti të madh fuqish, por ne duhet të ruajmë paqen dhe stabilitetin në vend”.
“Dikur flitej për një luftë të ftohtë, sot ajo arrin kufijtë e shpërthimit të një konflikti të armatosur mes fuqive të mëdha botërore. Natyrisht, në gjithë këtë, detyra jonë është të shqyrtojmë situatën dhe të përgjigjemi në pyetjen se si të sigurojmë sigurinë tonë të brendshme, stabilitetin dhe të ruajmë paqen”, citohet të ketë thënë ai.
“Për shkak të asaj që po ndodh në botë, presionet do të shumëfishohen në periudhën e ardhshme, duke pasur parasysh marrëdhëniet më të komplikuara gjeopolitike të mundshme, të cilat vazhdimisht po lëvizin në drejtim të përshkallëzimit të mëtejmë, pa gjasa për t’u qetësuar”, ka thënë Daçiq./FolDrejt/