Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në orën 19:00 janë mbyllur të gjitha vendvotimet në Kosovë, me një pjesëmarrje të votuesve prej 46,9 për qind.
Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, në konferencën e rregullt për media, bëri të ditur se gjatë gjithë procesit të votimit, të drejtën e votës e kanë ushtruar 46,9 për qind e qytetarëve, respektivisht 827.984 votues.
Duke krahasuar të dhënat me zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, Daka tha se deri në mbylljen e vendvotimeve, në vitin 2019 të drejtën e votës e kishin shfrytëzuar 44,18 për qind apo 812.049 votues.
Ajo gjithashtu tha se “Kosova sot tregoi shembull se si duhet të organizohen zgjedhje, pavarësisht sfidave të shumta”.
Ndërkohë, rrjedhën e numërimit të votave mund ta ndjekni në faqen zyrtare të KQZ-së: https://rezultatet2021.org/sq/parl/r.
Vendvotimet u hapën në ora 7 të mëngjesit me të gjitha materialet e nevojshme. Për të parandaluar përhapjen e koronavirusit ka qenë e obligueshme që pjesëmarrësit në votime të mbajnë maska dhe t’i dezinfektojnë duart.
Sot në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës ishin në garë 28 subjekte politike, nga të cilat 21 parti politike, dy koalicione dhe 5 nisma qytetare. Gjithsej 1.052 kandidatë janë paraqitur për 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës.
Këto zgjedhje të parakohshme janë zgjedhjet e pesta parlamentare që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008 dhe të tetat që pas luftës së vitit 1999 në Kosovë.