Mesfushori i Real Madridit, Dani Ceballos është një objektiv i Bayernit.
Ndërsa Real Madridi është duke peshkuar në oborret e të tjerëve, konkurrentët e tij nuk janë ulur duarkryq.
U tha se Bayerni dëshironte Nachon, një mbrojtës gjithëpërfshirës me përvojë, kontrata e të cilit skadon në fund të sezonit dhe tashmë kanë rrjedhur informacione se bavarezët kanë në shënjestër Dani Ceballos, mesfushorin e Realit, të cilit po ashtu i skadon kontrata në qershor.
Këtë verë dukej se Ceballos ishte në rrugëdalje nga Santiago Bernabeu, por Carlo Ancelotti e ndaloi largimin e tij.
Italiani e sheh si një alternativë të mirë për një ndërrim brezash në mesfushë. Luka Modrić dhe Toni Kroos janë në fund të karrierës te Reali dhe Ceballos mund ta mbushë atë periudhë kalimtare. Florentino Perez ka nisur negociatat për një zgjatje, por klubi gjerman më trofetar i qëndron pas për ta blerë.
Mediat gjermane raportojnë se Julian Nagelsmann u ka rekomanduar drejtuesve të Bayernit që të sjellin mesfushorin spanjoll. Nagelsmann dëshiron të forcojë mesfushën ku sheh problemet më të mëdha dhe Ceballos i përshtatet politikës së biznesit të Bayernit për të shmangur pagesën e dëmshpërblimeve të shtrenjta. Në këtë rast, ata janë të gatshëm t’i ofrojnë lojtarit një pagë fitimprurëse.
Bavarezët nuk janë të vetmit që duan Ceballos, në lojë thuhet se janë edhe disa klube angleze dhe siç zbulohet në emisionin e njohur El Chiringuito, interesohet edhe Barcelona.
Shumëçka do të varet nëse Reali do të arrijë të sjellë Jude Bellinghamin dhe nëse Modrić dhe Kroos do të qëndrojnë te Reali edhe për një sezon. Nëse e gjithë kjo do të realizohej, Ceballos ndoshta nuk do të mund të llogarisë në ndonjë minutë të rëndësishme, por do të jetë sërish në statusin e zëvendësuesit, sidomos në ndeshjet më të mëdha. Ky mund të jetë një motiv që ai të kalojë në Bayern, ku do të luante më shumë dhe do të merrte edhe një rrogë më të madhe ndoshta, transmeton Fol Drejt.