Kryeministrja e Danimarkës tha se ky shtet anëtar i NATO-s është i gatshëm që të lejojë stacionimin e trupave amerikane si pjesë e një marrëveshjeje dypalëshe të mbrojtjes.
“Shtetet e Bashkuara kanë komunikuar me Danimarkën, duke i propozuar bashkëpunim dypalësh në fushën e mbrojtjes”, tha Mette Frederiksen gjatë një adresimi për gazetarë më 10 shkurt.
“Natyra ekzakte e këtij bashkëpunimi ende nuk është definuar, por mund të përfshijë prezencën e trupave amerikane, materialeve dhe pajisjeve ushtarake amerikane në tokën daneze”, tha ajo.
Departamenti amerikan i Shtetit ka mirëpritur deklaratat e Frederiken dhe tha se marrëveshja, kur të miratohet, “do të lejojë që shtetet tona të thellojnë partneritetin” dhe “të forcojnë bashkëpunimin në kuadër të operacioneve të NATO-s”.
Ushtria amerikane veçse ka prani të përhershme të trupave në disa shtete evropiane, përfshirë në Gjermani, Belgjikë dhe Britani.
Tensionet janë rritur muajve të fundit pasi Rusia ka grumbulluar mbi 100,000 trupa përgjatë kufirit me Ukrainën, duke rritur frikën për një pushtim të mundshëm.
Moska mohon se ka plane që ta pushtojë Ukrainën, që nuk është anëtare e NATO-s, por ka lidhje të ngushta me Perëndimin.
Shtetet e NATO-s së fundmi kanë rritur praninë e tyre ushtarake në Norvegji, Evropën Lindore dhe në shtetet e Baltikut për t’i siguruar aleatët në rast të një agresioni rus.
Ministri danez i Mbrojtjes, Morten Bodskov, tha se çdo marrëveshje ushtarake me SHBA-në nuk do të përfshinte ndonjë bazë të përhershme ushtarake të SHBA-së në Danimarkë dhe se armët bërthamore nuk do të stacionoheshin në territorin danez.
Bisedimet formale për marrëveshjen ushtarake pritet të nisin në muajt në vazhdim, thanë zyrtarët./REL