Danimarka ka miratuar një ligj që e lejon atë të zhvendosë azilkërkuesit në vendet e treta ndërsa kërkesat e tyre për azil janë në proces, në një lëvizje që ka tërhequr dënime të ashpra nga grupet e të drejtave të njeriut.
Projekt-ligji hap rrugën për krijimin e qendrave të azilit jashtë Bashkimit Evropian. Ai u miratua në parlamentin danez të Enjten, tha një zyrtar i shtypit parlamentar për CNN, transmeton FolDrejt.com.
Legjislacioni synon të dërgojë azilkërkuesit në qendrat e pritjes në vendet e treta pasi të ketë përfunduar një proces i shpejtë në Danimarkë. Por qeveria ende nuk ka përshkruar se ku do të vendosen këto qendra, pasi ajo nuk ka arritur një marrëveshje me një vend të tretë, tha zëdhënësi i qeverisë daneze për imigracionin Rasmus Stoklund.
Këshilli danez për refugjatë e quajti ligjin “të papërgjegjshëm”. Charlotte Slente, tha se ligjvënësit kishin votuar verbërisht për legjislacionin që mbron një model të përpunimit të azilit “që nuk ekziston ende dhe të cilin ata nuk e dinë se çfarë përfshin në të vërtetë”.
Më shumë se gjysma e kërkesave të azilkërkuesve në Danimarkë vitin e kaluar u refuzuan, tha ai, duke shtuar se qeveria shpreson që kërkesat e azilit të reduktuara do të ndihmonin për t’iu kundërvënë çështjeve të integrimit dhe kriminalitetit në shoqërinë daneze.
Ligji është masa e fundit e vijës së ashpër të vendit që synon dërgimin e një mesazhi të hapur tek azilkërkuesit dhe komunitetet e refugjatëve dhe emigrantëve të Danimarkës.
BE do “të analizojë ligjet daneze në pritje të hyrjes së tyre në fuqi përpara se të vendosë për ndonjë hap tjetër”.
Danimarka, si vendet e tjera në Evropë, dëshmoi një numër të lartë të kërkesave për azil gjatë kulmit të krizës së migrantëve. Në vitin 2015, ajo regjistroi 11,539 kërkesa për azil. Këto shifra janë ulur në vitet e fundit. Sipas Statistikave të Danimarkës, 756 kërkesa për azil u paraqitën vitin e kaluar. /FolDrejt/