Kryetar i partisë Socialdemokrate Dardan Molliqaj ka reaguar për skandalin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Ai në këtë reagim ka kritikuar ashpër tre liderët e institucioneve të Kosovës, Vjosa Osmanin, Glauk Konjufcën dhe Albin Kurtin.
Molliqaj ka folur edhe për qasjen e Osmanit ndaj mediave e ku sipas tij kjo tregon se kështu “mbrohen njerëzit e tyre”.
Pjesë e gardës së parë në frymën e instalimit të VV-së në institucione, anëtar në Këshillin Drejtues të VV-së (nga 2016), ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj i famshëm si mik politik dhe personal me Kryeministrin dhe Kryeparlamentarin, doli të jetë i përfshirë me mafian serbe të energjetikës në formacione për shpërlarje parash.
Pavarësisht epilogut të “rastit Berishaj”, në rrafshin ligjor, janë disa të vërteta që na paraqiten si probleme. Rolin si ambasador në Kroaci si dhe afërsia që Martin Berishaj ka me krerët e shtetit e ndërlikojnë situatën. Kjo më nuk mund të jetë vetëm shkelje apo problem individual i një qytetari. Duke qenë i veshur me pushtet të tillë bëhet problem i Kosovës. Hija e dyshimit mbulon edhe mbi vendin tonë, sferën politike dhe partinë në pushtet.
Në anën tjetër, reagimi i presidentës, rëndom në sulm ndaj mediave, tregon për mbrojtjen e “njerëzve të tyre” pavarësisht fakteve. Presidentja nuk ka dyshim, kryeministri nuk ka reagim. Por përgjegjësi ka secili.