Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit se SHBA-ja beson që asnjë vend nuk duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Rusinë ndërkohë që ajo vazhdon agresionin e saj në Ukrainë.
Të premten ministri i Jashtëm serb Nikola Selakoviq nënshkroi marrëveshjen për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme me ministrin e jashtëm rus Sergey Lavrov. Marrëveshja u nënshkrua ndërsa dy ministrat ndodheshin në Nju Jork për të marrë pjesë në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku shumica e delegacioneve perëndimore shmangën kryediplomatin rus për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë.
“Lajmi për këtë marrëveshje të nënshkruar me Rusinë ishte befasues dhe në kundërshtim të plotë me takimet e tjera konstruktive në Nju Jork me zyrtarët serbë. Përafrimi i mëtejshëm me Rusinë është një hap në drejtimin e gabuar dhe në kundërshtim me aspiratat evropiane të deklaruara të Serbisë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës.
Të hënën ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill tha se gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Shtetet e Bashkuara zhvilluan “bisedime të frytshme” me delegacionin e Serbisë për çështje globale por edhe çështje tjera dhe më pas morën vesh për marrëveshjen e cila nxiti reagime edhe të politikanëve të Bashkimit Evropian.
Serbia, një kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, varet nga Rusia për furnizimet e saj me gaz natyror dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.
Kremlini mbështet Beogradin në kundërshtimin e tij të vazhdueshëm ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës, që u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin fuqishëm synimin e Serbisë për anëtarësim në BE. Rusia qartazi nuk e mbështet anëtarësimin në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kërkon vetëm të mbjellë ndarje në rajon. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është plotësisht brenda BE-së dhe zgjerimi i saj promovon paqen, qëndrueshmërinë dhe përparimin afatgjatë në të gjithë rajonin. Serbia duhet të përshpejtojë hapat për të çuar përpara rrugën e saj evropiane, duke përfshirë diversifikimin e burimeve të energjisë për të zvogëluar varësinë e saj energjetike nga nga Rusia dhe përafrimin e politikave të saj të jashtme dhe të sigurisë me BE-në”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Serbia u përpoq të ulë rëndësinë e marrëveshjes me Rusinë dhe të mërkurën presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se “një dokument burokratik, pa asnjë rëndësi thelbësore…u përdor nga mediat për ta sulmuar Serbinë”.
Deputetë të Parlamentit Evropian thanë se “BE-ja nuk mund të vazhdojë negociatat e anëtarësimit të Serbisë nëse ajo nuk vihet në linjë me sanksionet e BE-së kundër Rusisë”, duke paralajmëruar se ky qëndrim do të jetë pjesë e raportit të radhës mbi zgjerimin e bllokut.