Adem Demaçi mbetet një ndër figurat më të shquara të historisë më të re të Kosovës. Ai vdiq para katër vitesh, në moshën 82 vjeçare, për të lënë prapa gjurmë të pashlyeshme, që shërbyen si gurthemel për republikën, shkruan Fol Drejt.
Shkrimtari disident, aktivisti politik, i burgosuri politik dhe laureati i çmimit «Saharov», i quajtur ndryshe edhe si Mandela i Ballkanit, ndonëse ka vuajtur më shumë ditë burg se sa ky i fundit, mbetet një ndër figurat më frymëzuese për shqiptarët dhe jo vetëm.
Në ceremoninë e pranimit të Çmimit «Saharov», më 10 dhjetor 1991, Demaçi ndër të tjera rreshtohet me ata të cilët i quan “dashnorë të fjalës së lirë”, të cilët, sipas tij, janë të pathyeshëm dhe sypatrembur. Dhe i tillë ishte, një dashnor i fjalës së lirë, i pakundshoq.
I lindur më 26 shkurt 1936, vinte nga Lupqi i Podujevës, trupvogël por me zemër të madhe, u shndërrua në njërin prej luftëtarëve më të paepur për të drejtat dhe liritë e shqiptarëve të Kosovës në ish Jugosllavi, e më vonë edhe për çlirimin e Kosovës nga regjimi serbo-jugosllav.
Për qëndrimet e tij të hapura kundër regjimit shtypës e autoritar, ai u dënua plot 28 vite burg.
Udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990-1995; gjatë periudhës 1998-1999, ishte zëdhënës politik i UÇK-së; dhe po ashtu ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).
Qe pasditja e 26 korrikut e vitit 2018, dita kur Demaçi ndërroi jetë, për të lënë prapa gjurmë që nuk do të shlyhen kurrë.
Për së gjalli ai botoi veprat:
“Gjarpinjtë e gjakut” (roman), Jeta e Re, 1958.
“Kur Zoti harron” (vëllim me tregime), Zëri i Rinisë, Prishtinë, 1990.
“Libër për Vet Mohimin” (roman), botoi autori, Prishtinë, 1994.
“Tung, vargu im”, “Rilindja”, Prishtinë, 2002.
“Heli dhe Mimoza”, botoi autori, Prishtinë, 2006.
“Dashuria kuantike e Filanit”, “Infopress” & “Buzuku”, Prishtinë, 2007.
/FolDrejt/