Kuvendi me praninë e opozitës në sallë shpërtheu në debate të forta me akuza deri edhe fyerje. Opozita përdori si argument lajmin e dhënë dje nga zeri i amerikës se në zgjedhjet e 2017 u përdoren grupe kriminale. Kryeministri debatoi ashpër me Bashën ndërsa ish kryeministrit Berisha i përmendi pamundësinë për të udhëtuar në SHBA sepse nuk i japin më vizë, shkruan TCH.
Edi Rama dhe Sali Berisha u kthyen në protagonistë të përplasjes parlamentare, kur ish-kryeministri pyeti pasardhësin në lidhje me influencën e prezumuar të së shoqes në sistemin bankar shqiptar.
“A ka opsione apo aksione gruaja jote në Abi Bank?”, ka qenë pyetja e Berishës.
Edhe Rama replikoi me një pyetje direkte përmes së cilës aludoi se Sali Berishës i është ndaluar udhëtimi për në Amerikë. Ndërsa për çështjen e bankës, tha se jo është pjesë e monitorimit direkt nga enti rregullator në SHBA.
“Sali ti më bëre një pyetje dirkete për bashkëshorten time dhe po te jap nje pergjigje direkte. Abi Bank është një bankë që monitorohet direkt nga Enti i Bankave të SHBA dhe nëse bashkëshortja ime do ishte aksionere të jesh i sigurtë që mua nuk do ma lejonin ta kapërceja oqeanin, tani kam unë pyetje direkte për ty, Sali ti e kapërcen dot oqeanin me dash? Hajde përgjigju, ti me dash e kapërcen dot oqeanin Sali? Nëse nuk do e japësh je i mirëkuptuar është shumë i gjerë dhe e i thellë ai oqean Sali, ti mendove se do ta kalosh detin po oqeani nuk është Valbona ku ti i dhe lejet për HEC dhe fshihesh si skuth, se je ti që e shkatërrove dhe tropojanëve nuk ke fytyrë të dalësh përpara. Sali unë e di që më do në thelb, dhe më sheh edhe fizikisht, u skuqe, u zverdhe, tani na thuaj ti burri që can malet e kapërcen detet, a e kapërcen dot oqeanin?”- tha ai.
Berisha tha se kishte marrë ftesa por i kishte refuzuar vetë udhëtimet në Amerikë.
“Na thuaj pak a ka madam Basha aksione ne bankën Offshore, na thuaj pak si shkove dhe u ktheve me bisht ndër shal në Berlin dhe nuk të thanë asnjë takim. E treta po vij unë te fjala që the, tani po them haptas, kur unë u largova nga aktiviteti nuk kam bërë dhe kam refuzuar çdo lloj ftese nga kushdo që më ka ardhur sepse unë, vetëkuptohet më së shumti përfaqësoj zgjedhës në këtë Kuvend dhe kudo tjetër jam person privat. Kam marrë ftesa nga përtej oqeanit, i kam bërë të qartë se unë i kam ndërprerë të gjitha llojet e udhëtimeve zyrtare, nuk kam pse të bëj unë udhëtim zyrtar, nuk përfaqësoj më një forcë politike, por veten time, pra e di që ta dish ti, çdo dy muaj kam marrë ftesa dhe marr, por e kam të vendosur se nuk udhëtoj për qëllime zyrtarë askund, më teket, kur të më teket Edi Rama. Me SHBA dije mirë ti, kam arritur aty ku s’mund të arrish ti kurrë”, tha Berisha.
Insistimi i ish-kryeministrit që pyeste nëse Linda Rama kishte aksione bankare, bëri që përplasja të degjeneronte në nivel personal.
“Jeni si ata që thërrasin: guri do të na rrahin, por Guri nuk vjen te ju, se nuk ka se si vjen tek ju. Ti je njeri që je marrë me gratë, vajza, nipa mbesa e kë sje marrë, je njeri që nuk ke kanun, ligjk, gruas time dhe familjes time i ha ato që nuk thuhen”, u shpreh Rama.
“Ti je një copë fundërrinë ju merr shokëve gratë, i pafytyrë merr gruan e shokut, shkel çdo normë mor horr, çdo norme morale, njeri që mohon djalin tënd, që ke akuzuar babën për përdhunues, incest, fundërrinë njerëzore. Shan si rrugaç ordiner, je ti që merr gruan e shokut tënd o i pafytyrë”, ishte reagimi i Berishës.
Këtë akuzë Rama e quajti një fabrikim të përhapur nga vetë Berisha vite më parë.
Berisha u përgjigj duke i’a faturuar denoncimin gazetarit Mero Baze.
Në foltore doli disa herë edhe Lulzim Basha, që denoncoi fenomenin e shitblerjes së votës dhe kërkoi qeveri teknike.
“Kur e lidh fatin me Ymer Lalën nuk të çahet koka për dibranët e thjeshtë. Kur e lidh fatin me Emiljano Shullazin dhe Dritan Dajtin nuk të bëhet vonë as për pensionistët dhe as banorët e Tiranës dhe as të Astirit apo ato bulevardit të ri. Është fare e qartë çfarë ka ndodhur nëse mendoni se mund ta shtyjmë kështu është gabim”, u shpreh Basha.
Me kryedemokratin replikoi e bija e Ymer Lalës, deputetja Reme Lala.
“Sa për Ymer Lalën, Lulzim Basha i ke thënë Taulant Ballës se me ndjesinë e prindit do të kisha futur një grusht, unë po të them se me dashurinë për babain tim dhe krenarinë që kam se jam vajza e Ymer Lalës do ti them një ditë të gjitha. Sa herë e ke kërkuar ti Ymer Lalën për të takuar dhe bashkëpunuar. Me data e emra të saktë. Atyre njerëzve dhe miqve të nderuar që do të kenë burrërinë të thonë sa herë ke kërkuar takim me Ymer Lalën”, tha Reme Lala.
Pas kërkesës së deputetes së Dibrës, për anulimin e privatizimit të llixhave, ministrja Xhacka, si drejtuese politike e qarkut, njoftoi se vendimi do të merret të hënën pasi rezulton abuziv.