Deklarata e ministrit të Administrimit dhe Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi se “nuk do të ketë Ekip të ri Menaxhues për Asociacionin” dhe se “me këtë po merret Kurti”, duket se e ka trazuar opinionin serb, transmeton Fol Drejt.
Ua kujtojmë se Ekipin Menaxhues për Asociacionin e shkarkoi Qeveria e Kosovës pas prezantimit të draft-statutit më 2 maj.
“Është e rëndësishme të kuptohet që Kurti ka para vetës menaxhimin e kësaj situate dhe ne nuk kemi nevojë për asnjë një ekip menaxhues, vazhdimisht kemi pasur pyetje se kur do të emërohet ekipi i ri menaxhues, ky ekip ka përfunduar, tani është diskutim politik dhe për këtë është i mandatuar kryeministri i Kosovës”, ka thënë ai në emisionin “InfoNata” në Tëvë 1.
Për sa i përket propozimit të Kryeministrit Kurti për çështjen e Asociacionit, ka thënë se ai ka një bazë të mirë dhe të shëndosh dhe në pajtim me kushtetutën, “mbi të cilin komuniteti serbë mund të organizohet dhe të ketë komunikim të drejtpërdrejtë me Qeverinë e Kosovës.”
Për këto deklarata kanë raportuar edhe mediat në Serbi.
Ua kujtojmë se çështja e Asociacionit ka ngelur ndër pikat më të nxehta të diskutimit. Zgjidhja e versionit të statutit për këtë mekanizëm politik, sipas njohësve të zhvillimeve, do të thotë realizim i marrëveshjeve të fundit të arritura në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Sebrisë./FolDrejt/