Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përgjatë një periudhe kohore prej 6 vitesh ka ndryshuar drastikisht qëndrimin e tij rreth asaj se si duhet intepretuar rezultati zgjedhor dhe procesit të krijimit të institucioneve të Republikës. Në vitin 2014 kishte thënë se s’ka fare rëndësi se kush ka dalë i pari në zgjedhje, por kush e krijon shumicën, meqë Kosova është Republikë parlamentare e demokratike. Megjithatë tashmë si kryeministër në detyrë thotë se LDK ska të drejtë të krijojë një shumicë, meqë s’ka dalë e para në zgjedhje. Insiston se pas rrëzimit të tij, zgjedhjet e reja janë rruga e vetme.
Në një tryezë në tetorin e vitit 2014, Albin Kurti, thoshte se nëse në Kosovë nuk krijohen institucionet e reja nga shumica atëherë nuk ka kuptim as demokracia e as shteti.
“Nëse shumica parlalmentare nuk i formon institucionet në Republikën e Kosovës, atëherë cili është kuptimi i Republikës dhe demokracisë”, kishte theksuar Kurti.
Kurti atë kohë kishte deklaruar se nuk ka rëndësi fare se kush del i pari në zgjedhje por kur e krijon shumicën parlamentare për të krijuar institucionet e reja, pasi sipas tij Republika nuk është një garë me makina ku ai që del i pari e merr trofeun.
Lideri i VV’së thoshte se zgjedhjet në Kosovë kanë të bëjnë me atë se kush e krijon shumicën e tërësisë dhe jo kush del i pari në garën zgjedhore.
“Ata e mendojnë garën zgjedhore si një garë automobilistike, kush dul i pari me e marrë kupën. Por Republika nuk është garë automobilistike. Zgjedhjet demokratike në Republikë është kush e formon shumicën e tërsisë. Tërsia është cështja, e shumica është vendimarrja. Por jo kush është i pari në garë, po kush e formon shumicën”, thoshte Kurti.
Pas kësaj, Kurti ka thënë se edhe në botë ka raste të shumta kur ai që ka dalë i pari nuk i krijon dot institucionet dhe se dalja si i parë nuk i shërben për asgjë.
“Ka pafund raste në shtetet tjera anë e mbanë botës ku parti e parë nuk arrinë me e kriju shumicën dhe kot është e para, se republika e tillë është republikë parlamentare e demokratike”, potenconte Kurti.
Sipas tij logjika se i pari duhet t’i krijojë patjetër institucionet është një logjikë monarkiste, që nëse vdes mbreti si i parë , pas tij vjen pasardhësi.
Megjithatë tashmë Kurti ka ndryshuar plotësisht qëndrim kur pas rrëzimit të tij, Lidhja Demokratike e Kosovës po provon të krijojë një shumicë parlamentare për themelimin e institucioneve të reja.
Sipas kryeministrit në detyrë nuk mund të ketë një qeveri të re pa fituesin e zgjedhjeve. Nga partia e tij insistojnë se zgjedhjet e reja janë opsioni i vetëm, pas rrëzimit të Kurtit me një mocion mosbesimi të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Aktualisht presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar 3 letra Kurtit për t’i dërguar një mandatar për kryeministër, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Lidhja Demokratike e Kosovës ndërkohë si parti e dytë ka shprehur gatishmëri që të krijojë institucionet e reja me një koalicion me AAK’në dhe NISMA’n dhe mbetet të shihet nëse presidenti i Kosovës do t’i japë një mundësi të tillë partisë që drejton Isa Mustafa për të shmangur shkuarjen në zgjedhje të reja.
Se presidentit i lejohet që të krijojë institcionet e reja duke shfrytëzuar legjislaturën aktuale në rast të realizimit me sukses të një mocioni mosbesimi, e kishte thënë vitin e kaluar edhe Durim Berisha në një analizë të publikuar në kohën ditore. Megjithatë Berisha meqenëse tash i shërben Kurtit si këshilltar juridik, thotë se zgjedhjet janë rruga e vetme, derisa për analizën e tij të shkruar në vitin 2019 ka thënë se nuk e ka rilexuar dhe se ka qenë e pa përfunduar mirë.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë shkëputur bashkëpunimin vetëm pas 52 ditësh qeverisje pas mospajtimeve të shumta rreth çështjeve me rëndësi siç janë raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, taksën dhe dialogun me Serbinë. LVV e drejtuar nga Kurti kishte dalë e para në zgjedhjet e 6 tetorit, derisa LDK me Vjosa Osmanin ishte renditur e dyta.