Kryetari i AAK-së, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar në lidhje me ngjarjet e fundit të zhvilluara në veri të Kosovës, duke i fajësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, si dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.
Ai ka thënë se për tri vjet në pushtet këta nuk kanë lënë sukses pa e kthyer përmbys.
“Albin Kurti e Vjosa Osmani për më pak se tre vjet në pushtet, nuk kanë lënë sukses pa e kthyer përmbys. Ata për kaq pak kohë e kanë kthyer Kosovën dhjetë vjet mbrapa.
Përjashtimi i Kosovës nga ushtrimi i NATO-s “Defender Europe 2023” është alarm për sigurinë tonë nacionale.
Shtetet investojnë me dekada për të krijuar miqësi dhe aleanca. Në rastin tonë, del një Albin Kurti e tenton t’i rrëzojë ato. Ka pasur edhe të tjerë në historinë tonë që kanë dashur t’i përmbysin këto aleanca, por Kosova ka qenë më e madhe se sa vogëlsia e tyre dhe ka triumfuar. Ajo nuk ka alternativë tjetër përpos të triumfojë edhe këtë herë.
Populli i Kosovës që është populli më properëndimor i kontinentit, do të dijë t’i ruajë miqtë dhe orientimin e vet. Është i vogël Albin Kurti t’ia nderrojë orientimin Kosovës dhe popullit të saj”, ka thënë ndër të tjera Haradinaj.
Ai ka kërkuar dorëheqjen e Kurtit, duke e quajtur atë si të vetmin shans që ai t’ia bëjë një të mirë Kosovës.
“Ai e ka vetëm një shans, që njëherë në jetën e tij t’ia bëjë një të mirë Kosovës! Të japë dorëheqje qysh sot!”, ka thënë Ramush Haradinaj, transmeton Fol Drejt.