Një delegacion rus i kryesuar nga ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu do të vizitojë Korenë e Veriut këtë javë, duke iu bashkuar një grupi kinez si vizitorët e parë publikë që nga pandemia, shkruan Al Jazeera.
Të enjten, delegacionet do të jenë pjesë e festimeve të 70-vjetorit të “Ditës së Fitores” në Phenian, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.
Anëtari i Byrosë Politike të Partisë Komuniste Kineze Li Hongzhong do të drejtojë grupin nga vendi i tij.
Në fillim të vitit 2020, Koreja e Veriut mbylli kufirin e saj për të gjitha shkëmbimet tregtare dhe diplomatike, duke përfshirë me partnerët e saj kryesorë ekonomikë dhe politikë Kinën dhe Rusinë.
Raportet e medias shtetërore nuk thanë nëse vizitat do të shënonin ndonjë ndryshim në politikë.
Por Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar më parë Korenë e Veriut për ofrimin e ndihmës ushtarake për Rusinë për luftën në Ukrainë, një pretendim që Pheniani dhe Moska e mohojnë.