Rafael Mariano Grossi, kryetari Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), theksoi se në centralin bërthamor Zaporizhzhia do të shkojnë nesër në mëngjes.
Delegacioni i IAEA-së nën udhëheqjen e Grossi-t mbërriti në qytetin Zaporizhzhia në afërsi të centralit bërthamor Zaporizhzhia në juglindje të Ukrainës në të cilin kanë ardhur për të kryer inspektime, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ekipi që u nis në orët e para të mëngjesit nga Kievi, kryeqyteti i Ukrainës, mbërriti dhe u vendos në hotel në Zaporizhzhia.
Në një deklaratë të shkurtër për gazetarët në hotelin ku qëndron, kreu i IAEA-së, Grossi, informoi se në centralin bërthamor Zaporizhzhia do të shkojnë nesër në mëngjes.
I pyetur në lidhje me lajmet se “Rusia nuk ka lejuar hyrjen e ekipit të IAEA-së në centralin bërthamor Zaporizhzhia , Grossi u përgjigj: “Jo, është siguruar dakordim në çdo gjë”.
Centrali më i madh bërthamor në Evropë
Centrali bërthamor Zaporizhzhia që ndodhet në juglindje të Ukrainës llogaritet si centrali më i madh bërthamor në Evropë.
Me gjashtë reaktorë bërthamorë dhe një kapacitet për prodhimin e energjisë elektrike prej 5.700 megavat-orë, centrali plotëson 20 për qind të prodhimit të energjisë elektrike në Ukrainë.
Centrali u mor nën kontroll nga Rusia më 4 mars. Përreth centralit, i cili aktualisht është nën kontrollin e ushtrisë ruse, ndodhin sulme artilerike. Ukraina dhe Rusia akuzojnë njëra-tjetrën lidhur me këto sulme./FolDrejt/