Delegacioni që po përfaqëson Kosovën, i përbërë ndër tjerash nga ministri Liburn Aliu e deputetja Fitore Pacolli, kanë takuar ministren franceze të Tranzicionit Ekologjik, me të cilën kanë diskutuar për mundësi bashkëpunimi.
Lajmin për këtë e ka bërë të ditur vetë ministri Aliu përmes një postimi në facebook.
“Zhvilluam një takim pozitiv e përmbajtësor me znj. Agnes Pannier- Runacher, Ministren e Tranzicionit Ekologjik të Francës, me të cilën diskutuam për mundësitë e reja të bashkëpunimit.
Në thelb të diskutimit ishte intensifikimi i bashkëpunimit në sferën ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Francës, veçanërisht në sektorin e energjisë së pastër, si dhe mbështetjes potenciale në industri të gjelbër dhe në zbutjen e ndikimit në ndryshimet klimatike.”, ka shkruar ministri Aliu.
“Potencova se tanimë kemi zhvilluar takime me delegacionin e Agjencisë Françeze për Zhvillim (AFD), rreth programit të tyre për investime të mundshme në Kosovë, që kryesisht do të kontribuonte në mirëqenie të qytetarëve dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Në fund, theksova se po angazhohemi maksimalisht që Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare dhe të ketë qasje në fonde dhe mekanizma të ndryshme, dhe i falënderova për përkrahjen e tyre.”, ka shtuar ai./FolDrejt/