Në fjalimin e saj gjatë seancës së sotme, deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar qeverinë Kurti me veprimet e fundit, sidomos duke vendosur theksin në nderimin e pllakës përkujtimore të ushtarëve serbë.
“Njëra prej dilemave kryesore që kam sot është se si mund t’i adresohesh një qeverie pa ide, pa vizon, pa punë e cila nuk bën asgjë që duhet të bëjë dhe kur nis të bëjë e bën mbrapsht duke lënë pasoja”, është shprehur që në fillim të fjalimit deputetja Deliu.
E për veprimet e fundit, duke vendosur theksin në nderimin e monumentit serb, ajo është shprehur se “kanë ndodhur veprime abnormale nga qeveria, është poshtërurar e kaluara, është bërë qesharake e tashmja dhe është rrezikuar e ardhmja.”
Duke kritikuar aktin përkujtimor përpara këtij memoriali, Deliu ka thënë se nuk fajëson ushtarët e FSK-së, sepse ata vetëm zbatojnë urdhra, ndërkaq njëkohsisht ka thënë se do të donte të mendonte që ky akt nuk është bërë me vetëdije nga ministri Sveçla, ndryshe do të kishte hak kërkimin e dorëheqjes nga vetë kryeministri Kurti.
Deliu, njëkohësisht është shprehur se për këtë veprim, një kërkimfalje publike do të ishte më e pakta.
“Në një vend normal me institucione të përgjegjshme, Ministria e Mbrojtjes do të duhej të jepte shpjegime mbi gafën e prezencës së gardës së FSK-së në një monument serb të dedikuar veprimtarisë së ushtrisë së tyre që përbëjnë një nga periudhat më kulminante të gjenocidit të popullsisë shqiptrare, me ç’rast një kërkimfalje publike do të ishte më e pakta që do duhej kërkuar”, ka thënë Deliu./FolDrejt/