Lojtarët e Barcelonës kanë shënuar një gol, i cili ka mjaftuar për një fitore minimale 1-0 larg Atletico Madridit në derbin e xhiros së 16-të të kampionatit spanjoll.
Ousmane Dembele i dha tre pikë Barcelonës në minutën e 22-të, por një pjesë të madhe të punës për atë gol e bëri Pedri, i cili u vërsul drejt zonës së rreptësisë përmes disa lojtarëve kundërshtarë, ia kaloi topin Gavi, i cili bllokoi mirë dhe pasoi topin ndaj sulmuesit francez, i cili goditi me saktësi këndin e poshtëm të djathtë të portës së Atléticos dhe shënoi gol.
Në pjesën e parë, Atletico kërcënoi në disa raste, por gjuajtjet e tyre ose ishin të pasakta në situata të mundshme, ose përfunduan në bllokun e mbrojtjes së Barcelonës.
Ousmane Dembele ishte shumë pranë golit të dytë në minutën e 62-të, por gjuajtja e tij u bllokua pjesërisht dhe topi goditi pjesën e jashtme të shtyllës. Në minutën e 72-të, rrjeta e vendasve u trondit për herë të dytë, por Ferran Torres ishte në prapavijë.
Në minutën e dytë të kohës shtesë, gjyqtari Munuera Montero u tregoi kartonët e kuq Stefan Savić-it dhe Ferran Torres-it pasi u përleshen në mes të fushës, kur topi ishte tashmë shumë larg tyre.
Në minutën e pestë të shtesës, Araujo largoi topin nga porta pas goditjes së Antoine Griezmann dhe kështu pengoi tentativën më të rrezikshme të Atléticos për të barazuar.
Mbrojtja më e mirë e La Liga-s mbajti portën e pastër për herë të 12-të këtë sezon dhe kështu Barcelona arriti fitoren e 13-të dhe qëndroi në krye të tabelës me 41 pikë. Real Madridi mbeti në 38 pikë, ndërsa Real Sociedad është i treti me 32 pikë. Betis u rendit në vendin e katërt me 28 pikë, ndërsa Atletico Madrid dhe Villarreal kanë nga një pikë më pak./FolDrejt/