Ministrja pa portofol në Qeverinë e Malit të Zi, Marija Vuçinoviq, ka qëndruar për vizitë zyrtare në Ulqin ku u takua me Kryetarin e Ulqinit Loro Nrekiq, dhe bashkëpunëtorët e tij.
Nrekiq ka folur për dëmet e mëdha që ka shkaktuar moti i ligë dhe masat që kanë ndërmarrë shërbimet për normalizimin e situatës. Ai ka thënë se dëmet llogariten mbi 1 milion e 245 mijë euro dhe se komuna është duke u angazhuar në çdo drejtim që pasojat mos të ndien për shkak të rrjedhës së sezonit turistik.
Ministrja Vuçinoviq ka thënë se është duke ndjekur situatën e krijuar dhe se Qeveria do t’i akordojë komunës një ndihmë urgjente dhe se llogarit që përkrahja nuk do të mungojë. Ministrja në shoqërinë e udhëheqësve komunal ka vizituar disa nga zonat më të prekura nga moti i ligë, pasojat e të cilit janë drejtë eliminimit.