Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA, e kontrolluar nga demokratët, ka votuar për t’i dhënë fund mbylljes së pjesshme të qeverisë, por lëvizja ka shumë gjasa të bllokohet nga presidenti Donald Trump.
Ky i fundit ka thënë se do të refuzojë çdo masë që nuk përfshin financimin për murin e propozuar prej tij në kufirin me Meksikën.
Kryetarja e re e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha se asnjë financim për murin nuk është i disponueshëm. Senati i kontrolluar nga republikanët, ndërkohë, mund të mos e votojë legjislacionin.
Kreu i shumicës atje, Mitch McConnell tha se republikanët nuk do të mbështesin masat që vet Trump nuk i mbështet dhe e quajtën lëvizjen e demokratëve, një lëvizje të pamenduar.
Legjislacioni i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve do të financonte operacionet e sigurisë në vend, deri më 8 shkurt, e disa agjenci të tjera deri në shtator. Mbyllja e pjesshme e qeverisë amerikane nisi kur Kongresi dhe presidenti Trump nuk arritën një marrëveshje mbi projektbuxhetin në dhjetor.
Republikanët e Trumpit e kanë miratuar një ligj fillestar të buxhetit, që përfshin edhe 5 miliardë dollarë për ndërtimin e murit, kur kishin ende shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, por ata nuk mundën të merrnin 60 votat e nevojshme në Senatin me 100 vende, ku vet ata kanë shumicën.
Demokratët fituan shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e mesmandatit dhe përfaqësuesit e rinj bënë betimin të enjten. Tani pritet që presidenti të rifillojë bisedimet për buxhetin me udhëheqësit demokratë dhe republikanë, gjatë ditës.