Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e paraburgimit për zyrtarin policor që dyshohet se dëmtoi kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në objektin ku është gjetur laboratori për prodhimin e substancave narkotike, si dhe 10 mijë bimë narkotike të llojit marihuanë.
“Sipas fakteve dhe provave të siguruara, ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari A.R., si person zyrtar – polic i Njësisë për Reagim të Shpejtë, derisa ka qenë në detyrë të sigurimit të vendit të ngjarjes në objektin bisnesor në fshatin Izvor – komuna e Zveçanit me pronar i dyshuari S.N., i ka dëmtuar kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në objektin ku është kryer kontrollimi dhe është gjetur laboratori për prodhimin e substancave narkotike si dhe janë gjetur 10 mijë bimë narkotike të llojit marihuanë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë, transmeton Klankosova.tv.
Zyrtari policor për momentin është në mbajtje për 48 orë, me vendim të prokurorit.
Seanca për caktimin e paraburgimit pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.