Gjykata Themelore në Prishtinë njofton se ka dënuar me 25 vite burgim të akuzuarin I.G. për vrasjen e bashkëshortes së tij S.G.
I akuzuari kishte vrarë më sëpatë bashkëshorten e tij, derisa ajo ishte në gjumë, ndërsa rasti ka ndodhur në vitin 2022 në Prishtinë.
“Me datë 30.05.2023 gjykata ka mbajtur shqyrtimin fillestar në këtë çështje penale, në të cilin i akuzuari I.G ka pranuar fajësinë, ndërsa me datë 31.05.2023 gjykata ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër akuzuarit I.G. i cili është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 25 (njëzet e pesë) vite, të akuzuarit i është vazhduar masa e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri I.G me datë 25.11.2022 rreth orës 04:00, në shtëpinë e tij në Prishtinë, në mënyrë mizore dhe dinake, kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G, në atë mënyrë që derisa e ndjera kishte qenë duke fjetur, i akuzuari e kishte goditur me sëpatë disa herë në pjesën e majtë të kokës dhe si pasojë e këtyre goditjeve, e ndjera S.G kishte ndërruar jetë.
“Kjo gjendje faktike është vërtetuar pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari dhe provat materiale që gjenden në shkresat e lëndës”, thuhet me tej në njoftim.
Me këtë rast ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173 paragrafi 1 pikat 1.3 dhe 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi/