Gjykata Themelore në Gjakovë ka dënuar me 5 vjet e 3 muaj burg të akuzuarin A.N për veprën penale, “Vrasje e rëndë” në tentativë dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Kryetari i trupit gjykues Drilon Haraçia, të akuzuarin A.N., e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik me burg për dy veprat penale në kohëzgjatje prej pesë (5) vjet e tre (3) muaj, në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 25 maj 2023”, thuhet në njoftim.
I pandehuri A.N., akuzohet se “me 25 maj 2023 në Gjakovë, me dashje ka tentuar të privoj nga jeta të dëmtuarin F.N., meqë djali i tij A., dite më parë e kishte marrë për grua bashkëshorten e të pandehurit. Ditën kritike i pandehuri ka marrë revolen e tipit Ekol Tuna të kalibrit 6.35×15 mm, ka dalë në qytet dhe me të takuar të dëmtuarin F.N., rreth orës 12:20 min i cili po vinte rrugës përballë tij me biçikletë në dorë, i pandehuri ndalet, kthehet prej tij dhe i thotë “ku je mar p… nënës tone”, e nxjerrë revolen nga xhepi, dhe në distancë prej 2 metra shkrep një herë në të duke e mbajte armën në dorë derisa i dëmtuari ikë dhe futet me të shpejtë në një lokal. Më pastaj i pandehuri largohet me të shpejtësi nga aty ndërsa i dëmtuari për shkak të plagëve të marra dërgohet për ndihmë të shpejtë në spitalin Rajonal “Isa Grezda”, në Gjakovë, i cili më pas trajtimit, nga ekzaminimi mjeko-ligjor ka rezultuar me lëndime të lehta trupore dhe me lëndim të përkohshëm të shëndetit”.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.