Departamenti i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shprehur krenar për misionin e përbashkët të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ushtrisë Amerikane në Kuvajt.
Ky Departament, përmes një njoftimi në Twitter, theksoi se “partnerët nga Kosova do të fitojnë përvojë reale në mekanikë dhe logjistikë duke punuar me ushtrinë amerikane”.
Ndërkaq, ambasadori i SHBA-së në Kosovës, Philip Kosnett u shpreh se ky bashkëpunim dëshmon gatishmërinë e Kosovës për të mbrojtur jo vetëm territorin e saj, por edhe për përgjegjësi jashtë Kosovës.
“Departamenti i Mbrojtjes është krenar që iu bashkuam FSK-në nga Kosova në bashkëpunimin e saj të parë në Kuvajt. Gjatë këtij misioni, partnerët nga Kosova do të fitojnë përvojë reale në mekanikë dhe logjistikë duke punuar me ushtrinë amerikane. Më të fortë së bashku”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Mbrojtjes.
“Vendosja e përbashkët në Kuvajt e FSK-së nga Kosova dhe ushtrisë amerikane është një moment historik i vërtetë, jo vetëm për mbrojtjen e vetë Kosovës, por si një demonstrim i gatishmërisë së Kosovës për të përqafuar përgjegjësitë përtej kufijve të saj që kontribuojnë në sigurinë rajonale dhe globale”, shkruan Kosnett.
Ndryshe, Forca e Sigurisë së Kosovës është angazhuar në misionin e saj të parë ndërkombëtar bashkë me Ushtrinë Amerikane në Kuvajt.