Departamenti i Drejtësisë i ShBA-së, të cilit i janë bashkuar tetë shtete amerikane, ka ngritur një padi antitrust kundër kompanisë teknologjike ‘Google’ për përdorimin e saj të teknologjive të reklamave në internet.
Departamenti amerikan pretendon se ‘Google’ ka përdorur sjellje anti-konkurruese, përjashtuese dhe të paligjshme për të eliminuar apo pakësuar çdo kërcënim ndaj dominimit të saj mbi teknologjitë e reklamave digjitale, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Prokurori i përgjithshëm, Merrick B. Garland, në një konferencë për media tha se këto teknologji, të njohura si teknologji të reklamave, automatizojnë shitjen e reklamave nga botuesit e faqeve të internetit tek reklamuesit online.
“Kur një përdorues interneti hap një faqe interneti që ka hapësirë reklamimi për të shitur, mjetet e teknologjisë së reklamave menjëherë përputhen pothuajse me botuesit e faqes së internetit me një reklamues që kërkon të promovojë produktet ose shërbimet e tij tek përdoruesi i faqes së internetit”, tha Garland.
Ai tha se ky proces përfshin përdorimin e një “shkëmbimi të automatizuar reklamash” që drejton një ankand shumë të shpejtë të krijuar për të identifikuar përputhjen më të mirë midis një botuesi që shet një hapësirë reklamimi në internet dhe reklamuesve që kërkojnë ta blejnë atë.
E paraqitur në Gjykatën Krahinore të ShBA-së për Qarkun Lindor të Virginia-s, padisë iu bashkuan prokurorët e përgjithshëm të shteteve California, Colorado, Connecticut, New Jersey, New York, Rhode Island, Tennessee dhe Virginia.
Kjo është padia e dytë antitrust nga Departamenti i Drejtësisë kundër kompanisë ‘Google’ në përafërsisht dy vite, pas një padie në tetor të vitit 2020, të cilës iu bashkuan 11 prokurorë shtetërorë, me pretendimin se kompania e teknologjisë ka mbajtur në mënyrë të paligjshme një monopol në kërkimet e internetit, nga shërbimet e përgjithshme te reklamat./FolDrejt/