Sot Kryesia e Kuvendit të Kosovës pritet të mbajë mbledhjen e parë pas pushimeve.
Sipas paralajmërimit zyrtar, mbledhja pritet t’i fillojë punimet nga ora 11:00, raporton Fol Drejt.
Në këtë mbledhje pritet të caktohet edhe data e seancës së re plenare, e cila do të jetë e para për sesionin vjeshtor.
Në rendin e ditës janë pika e papërfunduar nga seanca plenare, e mbajtur më 22, 23, 24 shkurt, 16 mars, 14 prill dhe 22 qershor 2022 – votimi në parim i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për vetëqeverisjen lokale.
Deputetët e kuvendit, në pikën e dytë të rendit të ditës do ta shqyrtojnë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës si pikë e papërfunduar nga seanca plenare, e mbajtur më 24, 25 shkurt, 16 mars, 14 prill dhe 22 qershor 2022.
Pastaj edhe pika e papërfunduar nga seanca plenare, e mbajtur më 7, 14 prill dhe 22 qershor 2022 – zgjedhja e një anëtari të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb.
Veç kësaj, ka edhe disa pika të tjera të mbetura nga seancat e kaluara./FolDrejt/