Para 14 vjetëve, Sllavisha Petkoviq ishte deputet në Kuvendin e Kosovës.
Më 17 shkurt 2008, ditën kur u shpall pavarësia, ky dhe nëntë ligjvënës tjerë të komunitetit serb nuk ishin pjesë e seancës historike.
Ish-deputeti ka thënë për Klan Kosovën se nuk morën ftesa.
“Kur e kuptuam që do të shpallej pavarësia, e thirrëm sekretarin e Kuvendit që ta pyesnim pse s’ka ftesa për ne. Ai mbeti i hutuar dhe na tha “Ne kemi menduar që ju nuk do të vini”. Unë i thashë që ky nuk është problem i juaji dhe se ju duhet që deputetëve t’u dërgoni ftesa për çdo seancë”.
Megjithatë, deputetët e grupit parlamentar që udhëhiqej nga Petkoviq u thirrën që të shkonin në vendin e punës. Atyre ua dërguan veturat që t’i marrin dhe me vështirësi arritën tek objekti i Kuvendit, pasi kryeqyteti ishte i bllokuar nga njerëzit që kishin dalë të festonin.
Petkoviq, që nuk merret më me politikë, në takim me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, e kishte kuptuar se nuk do të kishte fjalime në seancë.
“Shkova lart në kabinetin e Jakup Krasniqit, ku ishin mbledhur shefat e grupeve parlamentare. I thashë “Jakup, çka është kjo? Pse ne nuk jemi ftuar dhe pse kjo nuk është biseduar me ne?”. I thashë që në bazë të rendit të ditës, kemi të drejtë për fjalë. Ai na tha jo dhe se marrëveshja është që të mos ketë diskutime”.
Por, nëse një deputet i pakicës serbe do të ishte pjesë e ngjarjes, a do të votonte pro shpalljes së Kosovës shtet?
“Mendoj që jo. Por sërish po ju them, shanset gjithnjë ekzistojnë kur ulemi e flasim për diçka, sepse nëse flasim edhe mund të merremi vesh. E nëse nuk flasim, atëherë kurrsesi nuk do të merremi vesh”.
Nga shpallja e pavarësisë, sikur edhe para saj, serbët janë të përfaqësuar në institucionet e Kosovës. Në qeveri mbajnë poste deri te zëvendëskryeministri e në kuvend deri te nënkryetari, por publikisht asnjëherë nuk e pranojnë mëvetësinë e shtetit që sot feston 14-vjetorin e themelimit.