Qëndrimi në Kinë i Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në një kohë kur në Tiranë u mbajt samiti i Procesit të Berlinit, nuk ka mbetur pa u kritikuar. Vuçiq nga Kina pati kritika të shumta për Kosovën, derisa tregoi për bisedat që i zhvilloi atje, ndër të tjera edhe me Vladimir Putinin.
E, sipas deputetit gjerman, Reinhard Butikofer, me veprime të tilla, Vuçiqi po ia tregon gishtin e mesit Bashkimit Evropian.
Ai ka listuar si të gabuara të gjitha këto veprime të Vuçiqit, përfshirë edhe aneksin e marrëveshjes së Brukselit, që, sipas kryeministrit Kurti, kryeministrja serbe Ana Bernabiq refuzoi ta nënshkruante.
“Serbia po i tregon BE-së gishtin e mesit: Vuçiq preferon të shkojë në Pekin; kryeministrja serbe refuzon t’i bashkohet fotos familjare, sepse refuzon të respektojë flamurin e Kosovës; dhe, natyrisht, ata nuk duan të nënshkruajnë një marrëveshje, të cilës nuk kanë ndërmend t’i përmbahen. Gjeni gabimin”, shkroi Butikofer.
Lëvizjet e fundit të Vuçiqit, i ka kritikuar të hënën edhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
Asaj nuk i ka shpëtuar fakti se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e bojkotoi samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë për të shkuar për vizitë në Kinë.
Sipas von Cramon, ky është një sinjal për Bashkimin Evropian, ku presidenti i një shteti pretendent për të hyrë në BE bojkoton samitin.
“Ndërsa të gjithë po mblidhen për Procesin e #Berlinit në #Tiranë, Presidenti i një shteti “kandidat” në BE feston muajin e mjaltit në Kinë. Një sinjal edhe për BE-në”, ka thënë Viola von Cramon.