Nuk është “tabu” por një “kërkesë logjike”: Kështu e paraqet politikani gjerman Günter Oettinger iniciativën e tij për t’u anëtarësuar sa më shpejt vendet e Ballkanit Perëndimor në BE, shkruan DPA, përcjell foldrejt.com. Me këtë nënkupton anëtarësimin e shpejtë në BE të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë Veriore, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.
“Europa ka qenë, është dhe mbetet mbi të gjitha një union i paqes,” tha të hënën Oettinger, i cili është anëtar me partinë e kancelares Angela Merkel CDU.
Oettinger bën edhe një krahasim interesant se as Gjermania nuk e meritonte anëtarësimin në organizatën pararendëse të BE-së pas Luftës së Dytë Botërore, por kjo ndodhi në të mirë të kontinentit.
“Tani është koha që Gjermania të bëjë dhurata të tilla,” tha ai, duke shtuar se në rast se nuk zgjerohej BE atëherë gjithë Europa lindore do ishte nën ndikimin rus, përcjell foldrejt.com.
Oettinger e sheh Europën në një “luftë sistemesh”, kurse në krye të Shtëpisë së Bardhë sheh një “autokrat”.
Zgjedhjet e përgjithshme europiane të 26 majit ai i sheh si tepër të rëndësishme po aq sa zgjedhjet e brendshme në Gjermani. Është koha kur duhet të dobësohen forcat e ekstremit të djathtë që përpiqen të shkatërrojnë vlerat europiane.