Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se Projektligji për rregullimin e çmimit të produkteve medicinale është një prej segmenteve më të rëndësishme për shëndetësinë e Kosovës.
Në seancën e sotme të kuvendit, ai tha se qytetarët e Kosovës ndër vite blejnë barna më shtrenjtë se të gjithë qytetarët e rajonit.
“Sfera e rregullimit të çmimit të barnave është një prej segmenteve më të rëndësishme për shëndetësinë e Kosovës për të ndaluar abuzimet me vlerën e barnave me çmime të shtrenjta se çmimet e tregut. Qytetarët e Kosovës blejnë barna më shtrenjtë se të gjithë qytetarët e Rajonit. Ka produkte medicinale që qytetarët i blejnë deri 300 ose 400 për qind më shtrenjtë se ata të Rajonit”.
“Është më se e nevojshme që kjo sferë të rregullohet me një ligj të veçantë. Në konsultim me odën e farmacisë dhe akterë të tjerë, ua kemi sjell të gatshëm një projektligj të rëndësishëm për sferën e shëndetësisë që rregullon çmimin e produkteve medicinale”, tha Haxhiu, njofton Klankosova.tv.