Deputeti i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Avdullah Hoti tha se Qeveria po mban rreth 210 milionë euro pa asnjë nevojë, të cilat mjete sipas tij po devalvohen edhe nga inflacioni i lartë.
Ai shtoi se nëse këto mjete do të të qarkullonin në ekonomi, ato do të multiplikoheshin dy deri në tre herë, duke rritur kështu kërkesën agregate dhe rrjedhimit të ardhurat, konsumin dhe punësimin.
“Në një situatë inflacioni tepër të lartë, dhe me afër 600 milionë euro para të gatshme në llogari, është e papranueshme pse Qeveria nuk i indekson pensionet, skemat sociale, pagat dhe subvencionet në bujqësi sipas normës së inflacionit. Për më tepër, nuk e heq përkohësisht as akcizën në derivate për të ulur çmimin e derivateve dhe, rrjedhimisht, të shumë produkteve të tjera, çmimi i të cilave ndikohet shumë nga kostot e transportit. Përse duhet Qeveria të mbajë 600 milion euro në llogarinë e saj bankare?! Pres që ekonomistët e qeverisë të shpejgojnë këtë për qytetarët.”, deklaroi Hoti.
Tutje ai tha se kjo gjendje paraqet papërgjegjësi dhe paaftësi për të udhëhequr shtet “e kam fjalën për shtet me ekonomi të tregut”.
“Ky nivel i bilancit bankar të Qeverisë përbën edhe abuzim me detyrën, pasi ligji i jep të drejtë Qeverisë të mbledh tatime, por duke ruajtur barazpeshën sociale dhe ekonomike”, tha Hoti./21Media