Trembëdhjetë vjet më parë, në brigjet e Vardarit pranë Kalasë së Shkupit, duhej të fillonte ndërtimi i komplekseve të hoteleve dhe objekteve të biznesit. Lokacionet janë shitur, por as deri më sot investitorët nuk kanë filluar ndërtimin. Që nga viti 2007 ka një kontest gjyqësor për tre parcela. Për gjashtë vjet, shteti i ka paditur pronarët, ndërsa nga viti 2015 rolet në procesin gjyqësor kanë ndryshuar ashtu që tani pronarët e parcelave e padisin shtetin, thuhet në hulumtimin e IRL.
Ky nuk është vetëm një nga proceset e gjata, që po zhvillohen para gjykatave të Maqedonisë, por në këtë histori janë të ndërthurur politika dhe pushteti.
Pronari i dy parcelave është zëvendës-kryetari i Qytetit të Shkupit Enver Mailiqi, ndërsa një parcelë e posedon deputeti i BDI-së Ejup Alimi. Ata kërkojnë që shteti t’ua kthejë 2,167,000 euro, gjegjësisht 1.254.000 euro Maliqitdhe 913.000 euro Alimit.
Parcelat janë blerë tetë ditë para zgjedhjeve
Beteja për tokën shtetërore fillon pak para zgjedhjeve të 5 korrikut 2006, kur në pushtet është koalicioni LSDM-BDI. Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve e ka udhëhequr Xhemali Mehazi, i cili më 23 maj 2006 ka publikuar shpallje për tjetërsim të tre lokacioneve, me tokë të pandërruar, që është për ndërtim të komplekseve të hoteleve në komunën Qendër nën Kala.
Ankandi publik është realizuar më 8 qershor, kur Enver Maliqi përmes kompanisë së tij “Gemak – trejd” i blen dy parcela me sipërfaqe të përgjithshme prej 11,153 metra katrorë, ndërsa lokacionin fqinj, me sipërfaqe prej 5225 metra katrorë, si ofertuesi më i mirë merr Ejup Alimi.
Në ankand kishin marrë pjesë disa kompani, duke përfshirë: “Divellop grup” e biznesmenit Aleksandar Ivanovski i njohur si Alek Teranova, “Sllavija Spektar” nga Ohri, “Unioni Financiar” dhe disa persona fizikë. Por fiton dyshja Maliqi dhe Alimi.
Maliqi njërin lokacion e blen me çmim 3.750 denarë për një metër katror, ndërsa të dytin për 10.000 denarë për një metër katror. Alimi pjesën e tij e merr me çmim prej 10.050 denarë për një metër katror.
Tetë ditë para zgjedhjeve, më 27 qershor 2006, ministri Mehazi me biznesmenin Maliqi dhe bashkë partiakun e tij nga BDI Alimi, nënshkruajnë kontratë për tjetërsim të tokës ndërtimore.
Plani i Maliqit është të ndërtojë tre hotele, qendra tregtare dhe objekte hotelerike.
Ministria kërkon anulimin e kontratave, BDI sërish kthehet në pushtet
Planet e dy investitorëve hasën në gozhdë me ndryshimin e qeverisë. Në zgjedhjet e vitit 2006 fitoi VMRO-DPMNE dhe për partner të koalicionit nuk e zgjodhi BDI-në, por nga blloku shqiptar në qeveri hyri Partia Demokratike e Shqiptarëve e Menduh Thaçit. Pozitën e ministrit për Transport e mori VMRO-DPMNE, ndërsa Janakieski erdhi në vend të Mehazit.
Disa muaj më vonë, në mars 2007, Avokati i Shtetit kërkoi nga Ministria e Transportit të ndërpret kontratat me Maliqin dhe Alimin, sepse ato janë realizuar në kundërshtim me ligjin për parandalim të korrupsionit, përkatësisht gjatë fushatës zgjedhore dhe tetë ditë para zgjedhjeve më 5 korrik.
Fillon procedura gjyqësore – shteti kundër “Gemak Trade” të Maliqit dhe Alimit.
Kompleksi Park Rezidens, në të cilin Maliqi ka hotel dhe restorant, ndërsa në anën tjetër të Vardarit janë tre parcelat
Pas një viti, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vitin 2008 ndërrohet qeveria. BDI sërish hyn në qeveri, këtë herë si partner i koalicionit të VMRO-DPMNE-së.
Procedura gjyqësore për parcelat nën Kala arrin deri në Gjykatën Supreme, e cila në janar 2013 sjell vendim në favor të Maliqit dhe Alimit dhe ata shënohen si pronarë të tokave.
Ndërkohë biznesmeni Enver Maliqi, ende para se ta fitojë padinë, bëhet një nga pronarët e kompleksit “Park Rezidens” i cili gjendet përballë parcelave të diskutueshme, por në anën tjetër të Vardarit. Ky është objekti i njohur si Muri Kinez ngjit me Stadiumin e qytetit. Derisa ministër ishte Janakieski, godina e cila duhej të rrënohej u legalizua dhe në vitin 2014 filluan të shiten apartamentet e para dhe lokalet afariste.
Pasi kompleks rezidencial dhe komercial është zhvilluar, dyshi Maliqi dhe Alimi, në vitin 2015, vendosin ta padisin shtetin që t’ua kthejë paratë, ndërsa ata parcelat. Arsyeja është se ndërkohë Plani i detajuar urbanistik, për këtë pjesë të Qendrës, ka ndryshuar dhe ata s’mund të ndërtojnë tre hotele. Sipas planit të ri, mund të ndërtohet vetëm një hotel.
Në janar 2018 është miratuar aktgjykimi i shkallës së parë, në favor të paditësve, përkatësisht Gjykata Themelore Shkup 2 e urdhëron Ministrinë e transportit t’ia kthejë paratë kompanisë “Gemak” të Maliqit.
Duke pasur të qartë rezultatin e procesit gjyqësor, Avokati i Shtetit 2.1 milionë eurot, që duhet t’i kthejë i ka depozituar si depozitë bankare për të parandaluar shpenzime shtesë për shkak të kamatës.
Muajin e kaluar Gemak ka pranuar konfirmim të aktgjykimit të shkallës së parë edhe nga gjykata e apelit, ndërsa tani pritet edhe rezultati për dy parcelat tjera, për çka duhet të vendosë gjykatë e shkallës më të lartë.
Kur e pyetëm zëvendësin e Shilegovit përse ka hequr dorë nga ideja për të ndërtuar në anën tjetër të Vardarit, ai tha shkurtimisht:
“Nuk dua të komentoj për momentin, sepse procedura gjyqësore ende s’ka përfunduar”.
Deklaratë nuk deshi të jep as biznes partneri i tij, Alimi. Deputeti e ka lajmëruar tokën në listën e tij të pronësisë në Komisionin e Antik Korrupsionit, ndërsa parcelat e Maliqit janë të regjistruara në emër të kompanisë së tij “Gemak Trade”.
Ky rast i gjatë gjyqësor që ka zgjatur tashmë trembëdhjetë vjet është përmendur edhe në raportin e Entit Shtetëror për Auditim për “Efikasitetin e politikave dhe masave në menaxhimin e tokës ndërtimore”. Auditori shtetëror paralajmëron se kjo ka pasoja të dëmshme për të dyja palët. Për pronarët e parcelave të cilët nuk mund të realizojnë planet e tyre, si dhe dëmi në buxhet duke pasur parasysh se paratë për parcelat e blera duhet të kthehen me kamatë.
Sipas PDU aktual të komunës Qendër, për pjesën përgjatë lumit Vardar nën Kala, është paraparë ndërtimi i disa komplekseve të hoteleve. Të gjitha lokacionet janë shitur nga 2006 në 2014. Mediat, para disa vitesh, raportuan se hotel në stilin barok nën Kala do të ndërtojë edhe lideri i VMRO-NP Lubço Georgievski, i cili ishte i lidhur me firmën HM Invest Grup e cila e fitoi ankandin për marrjen e një parcelë me çmim prej 44 euro për një metër katror.
Biznesmen ose politikan
Enver Maliqi, një nga qytetarët më të pasur të Maqedonisë, hyri në politikë një vit e gjysmë më parë kur u emërua zëvendës kryetar i Shkupit. Ai shpesh e thekson se nuk është anëtar i asnjë partie politike dhe se funksionin e ka marrë për shkak se ka lindur nga Shkupi dhe dëshiron t’ia kthejë borxhin qytetit ku është rritur dhe jeton.
Por, në zgjedhjet e fundit lokale ai ishte i pozicionuar lartë në BDI dhe ishte i dyti në listën e këshilltarëve të kësaj partie për kuvendin e Shkupit. Thotë se kishte pas më shumë oferta, ndërsa kishte vendosur për BDI-në.
“Unë s’jam politikan, por biznesmen i cili, pa modesti të rreme, din mirë se të menaxhojë gjërat, kështu që unë do të provoj ta bëj të njëjtën edhe me qytetin ku kam lindur. Me përvojën, kontaktet dhe ndikimin tim shpresoj që t’i ndihmoj qytetit dhe të gjithë qytetarëve në kërkim të një jete më të mirë urbane. Nëse ia dal vetëm pak të kontribuoj që qyteti të bëhet i pastër, i gjelbër, me parqe dhe me infrastrukturë të përmirësuar, do të vlerësoj se e kam përmbushur misionin. Dhe fundja, në politikë, në këtë pozitë, nuk hyra për të marrë, por për ta dhënë”, ka thënë Maliqi për gazetën “Nezavisen Vesnik” pasi u emërua zëvendës-kryetar i Shkupit.
Disa muaj më parë, Enver Maliqi fitoi edhe një tjetër titull, përkatësisht Qeveria e pranoi propozimin e Meksikës për emërimin e Maliqit si konsull të saj nderi në vend.