Konfliktet në veri të Kosovës mund të marrin një kurs që nuk mund të kontrollohet, prandaj është vendimtare kthimi në dialog, thotë për Deutsche Welle (DW), Thomas Hacker, anëtar i Liberalëve në pushtet në Gjermani (FDP).
“Parakushtet për kthimin në fazën e dialogut janë që ata që sulmuan ushtarët e KFOR-it të ndiqen penalisht, si dhe Serbia të “lirojë pa kushte” tre policë të Kosovës, tha Hacker për DW .
“Sidoqoftë, ne duhet të vazhdojmë në rrugën e vetme korrekte, që janë negociatat drejt një kompromisi të përcaktuar nga Komisioni Evropian”, shton Hacker, duke iu referuar kërkesës që policia e Kosovës të tërhiqet nga veriu, që Bashkimi i Komunave Serbe të hartohet dhe që zgjedhjet lokale të mbahen.
I pyetur se çfarë pritet nga Prishtina, Hacker thotë – t’i përmbahet marrëveshjeve ekzistuese dhe të tregojë gatishmëri për kompromis, veçanërisht në lidhje me komunitetin serb të komunave në veri të Kosovës.
Hacker, i cili është edhe raportues i grupit parlamentar liberal për Ballkanin Perëndimor, shton se “të dyja palët duhet të ndjejnë presionin. Nëse do të ishte e nevojshme, edhe nëpërmjet ndihmës financiare që u jepej, e cila do të paguhej vetëm në kushte të caktuara”.
I pyetur se cili do të ishte rezultati i përsëritjes së zgjedhjeve në veri të Kosovës, nëse serbët i bojkotojnë sërish, Hacker thotë se është vendimtare që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mos ndikojë negativisht në proces dhe se Lista Serbe mund të marrë vendime në mënyrë të pavarur.
“Nëse pala serbe bojkoton zgjedhjet e reja, atëherë me shumë mundësi do të kërkojë një rrugë pa to”, shton deputeti gjerman.
Duke folur për DW, ai kritikon presidentin serb Vuçiq, i cili, siç thotë ai, nuk është aspak “paqebërës” në rajon.
“Për vite ai ka kontrolluar sistemin mediatik, prej vitesh nuk mund të vendosë mes rrugës drejt BE-së dhe afërsisë me Rusinë. Ai duhet ta marrë atë vendim tani. Shumë qytetarë e shohin qartë të ardhmen e vendit të tyre në BE. Qeveria serbe dhe presidenti Vuçiq nuk mund ta injorojnë këtë fakt”, thotë ai, transmeton Fol Drejt.