Avdullah Hoti ka drejtuar akuza të reja ndaj Qeverisë së Kosovës, duke thënë se mënyra se si po menaxhohet situata ekonomike, është e gabuar dhe po peshon rëndë mbi kurrizin e qytetarëve, transmeton Fol Drejt.
Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka shprehur çudinë e tij se si me gjithë pretendimet për ta ndalur “gjakderdhjen financiare” te ndërmarrjet publike, “për periudhën janar-qershor 2022, i ka rritur për gjashtë herë subvencionet nga buxheti për këto ndërmarrje – nga 1.92 mil euro më 2021, në 12.39 mil euro sivjet.”
Ish kryeministri ka thënë se pikërisht kjo pjesë e konsiderueshme e mjeteve po shfrytëzohet për të larguar punëtorë nga puna në Telekom.
Ky është postimi i plotë i tij:
Çudi me këtë Qeveri. E ka ndaluar “gjakderdhjen financiare” të ndërmarrjeve publike, por për periudhën janar-qershor 2022, i ka rritur për gjashtë herë subvencionet nga buxheti për këto ndërmarrje – nga 1.92 mil euro më 2021, në 12.39 mil euro sivjet.
Me gjasë, një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve po shkojnë për të larguar punëtorë nga puna në Telekom përmes skemës që ua paguan përnjëherë 24 paga mujore atyre që lëshojnë punën. Fatkeqësisht, kjo skemë po rezulton me ikje të kuadrove më të mira nga Telekomi, pasi kuadrot më të mira kanë më shumë alternativa në treg.
E vërteta është, fatkeqësisht, se taksat e qytetarëve po përdoren për të larguar punëtorë nga puna. Duket se “gjakderdhja financiare” – ky term morbid që u fut në diskursin politik – po i ndodh buxhetit të shtetit me vendime qeveritare.
Duke qenë se Telekomit po i ikin kuadrot, detyrimisht do të detyrohet të rekrutojë punëtorë së shpejti. A nënkupton kjo se po largohen punëtorët ekzistues për tu zëvendësuar me të tjerë nga partia në pushtet?! Çfarë politike e mbrapshtë është kjo?!