Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka thënë se do të votojë kundër projekt-kodit civil që ua mundëson martesën personave të gjinisë së njëjtë.
“Shumë shtete evropiane kanë ruajtur vlerat tradicionale të familjes së shëndoshë, po ashtu edhe vendet e rajonit. Madje edhe kancelarja Merkel kishte votuar kundër martesave mes gjinisë së njëjtë sepse siç e kishte theksuar ajo martesa është mes burrit edhe gruas”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.
Lushtaku thotë se Projektkodi Civil bie ndesh me ideologjinë e tij politike, prandaj do të votojë kundër tij.
“Andaj, edhe unë si përfaqësues i popullit do të votoj kundër Projekt Kodit Civil i cili ju jep hapësirë martesave mes gjinisë së njëjtë, për arsye se jam pro familjes dhe se bie ndesh me ideologjinë politike që unë ndjek dhe bindjet e mija personale”, shkroi ai.
Lushtaku ka ftuar edhe deputetët tjerë të Kuvendit të Kosovës që të votojnë kundër këtij projekt kodi.
Ndryshe, udhëheqësit e katër bashkësive fetare në Kosovë kanë nënshkruar të mërkurën një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës bëhet thirrje që në Projektkodin Civil, të mos bëhen ndryshime sa i përket martesës dhe familjes.