Në Kuvendin e Kosovës është duke u diskutuar me zjarr për çështjen e ngritjes së tarifave të energjisë.
Deputetët opozitarë e kanë fajësuar qeverinë, duke e kritikuar ashpër se ka qëndruar prapa vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), transmeton Fol Drejt.
Për më shumë, sipas tyre, ky vendim e ka përkeqësuar edhe më tej situatën.
“U diskutua këtu se si qytetarët po aplikojnë për viza, në dy muajt e fundit që shifra ka arrit në 100 mijë. Po! Është shqetësim i të gjithëve, po dikur, në qeverisjet e juaj të përbashkët, ata nuk e kishin as durimin me apliku për viza. Hipshin në autobusa dhe në mënyrë ilegale, nga Hungaria, kalojshin për të gjete një shpresë diku tjetër” – tha Mirsad Shkreta, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), ndërsa bëri përpjekje për t’iu kundërpërgjigjur akuzave se numri i madh i qytetarëve që kanë kërkuar viza për të ikur nga vendi, ka lidhje me krizën ekonomike.
Sipas tij, kjo akuzë është përpjekje për ta manipuluar masën.
Debati po vijon me përplasje të ashpra ndërmjet pozitës dhe opozitës./FolDrejt/