Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar ndaj ndalimit të Ardita Sinanit, nënkryetare e Partisë për veprim demokratik, nga policia serbe në vendkalimin kufitar Serbi-Kosovë, transmeton Fol Drejt.
Siç njofton Kamberi, ky ndalim është bërë me pretekstin se Sinani gjendet në njëfarë liste të përsonave të kërkuar.
“Policia e Serbisë, sot, në vendkalimin kufitar Serbi-Kosovë, Muçibabë në Preshevë, ndaloi dhe mbajti mbi 40 minuta, Ardita Sinanin, nënkryetare e Partisë për veprim demokratik (këshilltare e kryministrit të Kosovës) me arsyetimin se gjendet në njëfarë „liste të personave të kërkuar“. Sqarime tjera nuk kanë dhënë.
Prandaj kërkova sqarime nga policia në Preshevë dhe Ministri i punëve të brendshme lidhur me këtë incident, edhe pse është e qartë se policia politike e Aleksandar Vulinit, i akuzuar nga SHBA për „trafikim me narkotik dhe armë, për përfshirje në afera korruptive“, përmes përndjekjes së figurave politike po synon të nxisë tensione në Luginë të Preshevës.”, u shpreh deputeti Kamberi në një postim në profilin e tij zyrtar në Facebook.
“Pse jo, meqë Bashkësia ndërkombëtare, përmes përkëdheljeve të vazhdueshme që po i bën regjimit aktual në Serbi, po i krijon hapësira që në vazhdimësi, ky regjim, duke përdorur mekanizmat shtetërorë, instrumentalizuar serbët gjithandej, të fusë Ballkanin në konflikte të reja.”, ka shtuar më tej Kamberi, përcjell Fol Drejt.