Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha sot në kuvend se krizën nëpër të cilën po kalon Kosova, qeveria s’po e shesh si krizë ekonomike, por si luftë politike.
Ai tha në seancë se këto kriza po gjejnë një vend të lirë për të lulëzuar si pasojë e qeverisë, siç tha ai, e paaftë për të adresuar problemet me të cilat po ballafaqohen qytetarët, njofton Klankosova.tv.
“Kosova po kalon nëpër një vit të vështirë i cili si duket do të mbahet në mend si një vit i depresionit shkaktuar nga krizat e njëpasnjëshme që kanë kapluar vendin në shumë sektor. Këto kriza po gjejnë një vend të lirë për të lulëzuar si pasojë e kësaj qeverie plotësisht të paaftë për të adresuar problemet me të cilat po ballafaqohen qytetarët e vendit. Kjo qeveri më shpejt se çdo mendje e arsyeshme është akomoduar në kolltuqet e pushtetit dhe ka humbur ndjenjën ndaj problemeve të qytetarëve, për faktin se vet janë akomoduar mirë po e vlerësojnë se edhe qytetarët po jetojnë mirë dhe se nuk kanë arsye për të qenë të pakënaqur me kushtet e jetesës në Kosovë. Duke qenë se kanë humb komunikimin me qytetarë dhe me hallet e tyre, krizën nëpër të cilën po kalon vendi qeveria s’po e shesh si krizë ekonomike, por si luftë politike”.
“Çmimet e produkteve esenciale për qytetarët kanë arrit nivele të papërballueshme për një familje mesatare e lërë për një familje me të ardhura me të ulëta. Kjo qeveri me kokëfortësi ka refuzuar të ndërmarr çfarëdo mase apo propozimi që kemi dhënë për të ngadalësuar rritjen e çmimeve. Për të rritur tuje depozitat në llogarinë e saj, qeveria është përkujdesur të shkaktojë edhe një dëm shumë të madh ekonomik duke bllokuar maksimalisht realizimin e projekteve të investimeve publike kapitale. Dhe kjo e ka ngulfatur tutje sektorin privat”.
Ndër të tjera, i pari i PDK-së, ka propozuar disa masa për t’ua lehtësuar qytetarëve përballjen me krizën e rëndë ekonomike.
“Të lirohen nga TVSh të gjitha produktet esenciale, të lirohen nga akciza produktet e naftës, të lirohet energjia elektrike nga TVSh dhe të subvencionohen 25 për qind faturat e energjisë, të rriten pagat për aq sa është norma e inflacionit dhe të lejohet tërheqja deri në 30 për qind e mjeteve nga Trusti”, tha Krasniqi.