Deputeti në Parlementin serb, Aleksandar Jovanoviq – Çuta, e ka kritikuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se po luan me jetën e njerëzve, teksa ka komentuar kthimin e deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës.
Siç raporton nova, Aleksandar Jovanoviq – Çuta, është shprehur se ideja nuk është që të sqarohen gjërat, mirëpo vetëm që të vazhdohet shou, të flitet sërish për një gjendje të jashtëzakonshme dhe destabilitet.
“Cirku vazhdon, shfaqja e Vuçiqit duhet të vazhdojë. Ideja nuk është që të sqarohen gjërat, të zgjidhet diçka, por vetëm të vazhdohet shou, të flasim sërish për një lloj gjendje të jashtëzakonshme dhe destabilitet”, ka thënë deputeti.
“Vuçiq duhet ta shpjegojë se çfarë do të thotë kthimi i Listës Serbe në Parlamentin e Kosovës, ndërsa ata disa mijëra njerëz që dhanë dorëheqje me urdhër të Beogradit mbetën pa asgjë. Ata njerëz u mashtruan dhe u tallën gjersa u lanë në baltë. Janë urdhëruar nga kabineti i Vuçiqit të japin dorëheqje, tani po i zëvendësojnë me njerëz të tjerë. Vuçiq po luan me jetën e njerëzve, si të serbëve në Kosovë, ashtu edhe të të gjithë qytetarëve të Serbisë”, ka shtuar ai tutje./FolDrejt/