Këtë të premte në Kuvendin e Malit të Zi po vazhdon seanca ku po pritet të votohet mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga Zdravko Krivokapiq.
Në lidhje me këtë, për Klan Kosova ka folur deputeti shqiptar, Fatmir Gjeka, i cili tha se ky mocion është fundi i krizës politike që ka muaj që po vazhdon në Mal të Zi.
“Që në fillim e kemi pasur orientimin e qartë si shqiptarë, duke mos marrë pjesë në këtë qeveri duke e ditur se rruga e saj ishte e gabuar”.
“Kemi ardhur deri tek epilogu i krizës parlamentare që mendoj se do të mbaroj sonte me rënien e kësaj qeverie”, ka thënë Gjeka, njofton Klankosova.tv.
Ai, tutje tha se koncentrimi më i madh tash e tutje do të jetë në bërjen e një qeverie që, sipas tij, është evropiane, e cila do të ketë synim vazhdimin e rrugës të integrimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
“Kemi një vit të humbur në këtë rrugë, ku Mali i Zi ka qenë pishtar duke mbajtur flamurin e integrimeve evropiane, dhe tani kemi një vit ku kemi marrë raportin më të keq prej kur kemi filluar bisedimet me BE-në. Rruga që do të ndjekim është kjo; të vazhdojmë rrugën e integrimeve, të kemi stabilitet politik dhe shumica dërmuese në parlament e duan një gjë të tillë”, ka thënë Gjeka, njofton Klankosova.tv.
Më tej, ai tha se e përkrahin opsionin e qeverisë së pakicës së propozuar nga Dritan Abazoviq, teksa shtoi se duhet pasur gjithmonë synim integrimin në BE.
“Kjo do të thotë që duhet të ketë një përkrahje ose 2/3 ose 3/5 për të plotësuar kushtet që kanë të bëjnë me drejtësinë, pra me Prokurorin e Lartë të Shtetit dhe gjykatësit në Gjykatën Kushtetuese. Këto janë pikat që e zhbllokojnë procesin e vazhdimit të integrimit të Malit të Zi në BE”, ka thënë Gjeka, njofton Klankosova.tv.