Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, ka mbajtur një fjalim në Kuvendin e Kosovës, në të cilin ka shprehur përkrahjen e plotë për pavarësinë e Kosovës, ani pse vendi i tij ende nuk e njeh zyrtarisht Kosovën.
Në Seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, deputeti i Parlamentit të Ukrainës, Oleksiy Goncharenko, ka mbajtur një fjalë rasti, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës në facebook, transmeton Fol Drejt.
Adresimin e tij para ligjvënësve të Kosovës deputeti Goncharenko e konsideroi moment të jashtëzakonshëm për Ukrainën, për historinë e popullit ukrainas, për marrëdhëniet ndërmjet dyja shteteve dhe për qytetarët e Kosovës.
Goncharenko përmendi ushtarakët ukrainas të cilët e kanë humbur jetën në Kosovë si pjesë e KFOR-it, siç tha ai, duke luftuar për sigurinë e Kosovës dhe të tërë Evropës.
Deputeti ukrainas shtoi se edhe sot mijëra ukrainas dhe qytetarë të popujve të tjerë janë duke luftuar në Ukrainë për sigurinë e Evropës dhe për sigurinë e tërë botës. Goncharenko tha se ushtria ruse në pamundësi që të luftojë me ushtarët ukrainas, po kryen gjenocid ndaj qytetarëve të pafajshëm ukrainas.
Ai tha se populli ukrainas ndihet i afërt me popullin e Kosovës, ngase, siç u shpreh, edhe ai ka përjetuar gjenocid.
“Qytetarët e Kosovës kanë luftuar për pavarësinë. Tani edhe ne po luftojmë për pavarësinë e Ukrainës. Dhe ju siguroj se do të jemi ne fituesit. Dhe me këtë do të fitojë bota e lirë”, tha deputeti Goncharenko.
Ligjvënësi ukrainas foli edhe për çështjen e Kosovës, duke kujtuar se më 5 gusht ka kërkuar nga Parlamenti i Ukrainës që ta njoh pavarësinë e Kosovës.
Ai tha se kjo njohje duhet të ndodhë sa më parë, ngase, siç tha ai, “ju keni luftuar për lirinë tuaj”. Goncharenko premtoi se do të mbështet Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës me të drejta të plota sa më shpejtë që të jetë e mundur.
“Kosova është Evropa. Unë besoj në këtë. Kosova e pavarur e shkatërron ëndrrën për Jugosllavinë e re, sikurse që Ukraina e pavarur e shkatërron ëndrrën për mbretërinë e re ruse”, tha gjatë fjalës së tij deputeti Goncharenko, përderisa u përcoll me duartrokitje nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës./FolDrejt/