Qeveria Kurti ka miratuar Projektligjin për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe e ka dërguar për miratim në Kuvend.
Në këtë projektligj parashihet që të hetohet pasuria e zyrtarëve publik që nga periudha e pas shpalljes së Pavarësisë.Ky Ligj ka sjellë reagime të shumta në opinionin publik dhe tek subjektet politike në vend.
“Gazeta Blic” ka pyetur më gjerësisht se si po shihet nga Lidhja Demokratike e Kosovës ky Projektligj, deputeten e këtij subjekti politike, Valentina Bunjaku-Rexhepi.
“Na gjithçka çfarë është e ligjshme ne e përkrahim. Nëse ata duan të konfiskonë pasurinë e paligjshme të zyrtarëve, lirisht le ta bëjnë, ne jemi për konfiskim. Pa marrë parasysh, ne ende nuk e kemi diskutuar në grupin e deputetëve dhe ende ska ardhë në parlament. Pasi vjen në Parlament, ne japim mendimin tonë, sepse varet se çfarë ka në atë Projektligj, pasi ka shumë amandamente dhe varet si janë ato” tha Bunjaku-Rexhepi për “Gazeta Blic”Në lidhje me këtë Projektligj ka reaguar edhe ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se një ligj të tillë e ka shteti i Kinës.“Qata që i kanë ka 25 mijë prej vitit 2008 – A munden me i transferu paret jashtë. Ndoshta me i ndal me ligj edhe transferet jashtë vendit (deri në 2k në muaj). Skeni çka me konfisku mandej. Kina e ka një ligj të tillë. #ironi #cinizem #jopernime”, ka shkruar Ahmeti.
Sa i përket këtij Ligji, dje ka folur për “Gazeta Blic” edhe hulumtuesi në IKD, Gëzim Shala.Ai tha se në fazën në të cilën gjendet sistemi i drejtësisë kosovare, ky sistem mund të përdoret për persekutime politike.
“Në anën tjetër, IKD ka qenë pjesë e grupit punues për draftimin e këtij projektligji. Qysh në fazën e draftimit të Koncept-Dokumentit përkitazi me këtë ligj, IKD kishte kundërshtuar vendosjen e sistemit për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Në stadin në të cilin gjendet sistemi kosovar i drejtësisë, ky sistem më tepër mund të përdoret për persekutime politike apo personale se sa që mund të jap efekte praktike. Bazuar në raportet ndërkombëtare, sistemi kosovar i drejtësisë konsiderohet lehtë i ndikueshëm nga politika. Këtë deklarim e ka potencuar vazhdimisht edhe partia në pushtet. Ndërsa, me këtë projektligj, po këtij sistemi po i ipet edhe një kompetencë shtesë, ajo e vendosjes mbi justifikueshmërinë e pasurisë së personave, procedura ndaj të cilëve iniciohet nga Byroja. Sipas projektligjit të miratuar, në sferën e personave pasuria e të cilëve mund të verifikohet nga Byroja, hyjnë të gjithë zyrtarët publik, personat e ekspozuar politikisht, familjarët e tyre dhe personat e tretë” tha Shala për “Gazeta Blic.