Deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Labinotë Demi-Murtezi, ka thënë se është kundër miratimit të kodit të ri civil.
“Arsyeja pse është më mirë të mos parashihet në kod martesa apo bashkësia e regjistruar mes personave të gjinisë së njëjtë është mbrojtja e moralit publik”, ka thënë Semi-Murtezi.
Ajo ka përdorur fjalë të rënda ndaj homoseksualëve, për çka i ka reaguar edhe Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.
Sipas saj çdo marrëdhënie jashtë gjinive të ndryshme konsiderohet shthurje dhe degjenerim moral.
“Çdo lidhje jashtë këtij kombinimi konsiderohet shthurje dhe degjenerim moral. Deklaroj votën time kundër në formën se si ka ardhur ky kod civil, prandaj i them po martesës tradicionale, mbrojtës së moralit publik, mbrojtjes së shëndetit publik dhe mbi të gjitha mbrojtjes së interesit më të mirë të fëmijëve”, ka shtuar ajo, shkruan Klankosova.tv
Ajo madje tha se kjo është edhe sëmundje.
“Plotësimi i nevojave seksuale në forma të shthurura në kundërshtim me natyrshmërinë e njeriut përbën veprim që dëmton rëndë shëndetin publik, duke u bërë shkak i sëmundjeve të rënda dhe të pashërueshme siç është HIV. Duke qenë se në kuvend kemi shumë deputetë që vijnë nga sfera e shëndetësisë, sfidoj të gjithë me radhë nëse kjo nuk është e vërtetë”, ka thënë ajo.
Ndërkaq kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, tha se është kundër përdorimit të termave të tillë, pasi sipas tij, janë të padrejta.
Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë të mbrojtur nga diskriminimi dhe paragjykimet andaj mendoj se nëse në diskursin tonë për njerëzit që kanë orjentime të ndryshme seksuale ndaj nesh përdorim terma si shthurje, degjenerim moral dhe sëmundje unë mendoj se janë të padrejta dhe jam kundër këtij diskursi.