Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kërkuar nga ZRrE dhe institucionet që të lirojnë nga pagesa e faturave të rrymës pas shtrenjtimit me 15 për qind, kategoritë e dala nga lufta.
Këtë kërkesë, Musliu e bëri gjatë fjalës së saj në seancën e sotme plenare, përcjell Fol Drejt.
Ajo tha se kjo kategoria e veteranëve është lënë pas dore nga qeveria në çdo aspekt.
“Ditë më parë, bordi i ZRrE-së ka marr vendim për shtrenjtimin e rrymës me 15 për qind, rritja tarifore do të jetë për të gjitha kategoritë. Ky shtrenjtim në kohën kur qytetarët e Kosovës po ballafaqohen me luftën e tyre për ekzistencë është i papranueshëm dhe i papërballueshëm për qytetarët e vendit. Të nderuar deputetë, sot kam një kërkesë që ka të bëjë me një kategori të ndjeshme dhe të çmuar për ne, siç janë kategoritë e dala nga lufta që nga kjo qeveri janë lënë pas dore në çdo aspekt duke mos gjetur gatishmërinë që të përfshihen as në ligjin për pagën minimale”, tha Musliu.
“Kërkoj nga ZRrE që të nxjerrë një vendim dhe t’i liroj nga pagesa dhe faturat e rrymës të gjitha kategoritë e dala nga lufta siç janë familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e UÇK-së. Kërkoj nga institucionet që të nxjerrin vendimin për lirimin nga pagesa, me theks të veçantë veteranët dhe invalidët”, u shpreh tutje ajo./FolDrejt/