Pjesëmarrja e votuesve në raundin e parë të sotëm të zgjedhjeve presidenciale të Francës ishte 25.5 për qind deri në mesditë, tha ministria e brendshme.
Kjo është tre për qind më pak se në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura në 2017.
Votimi filloi mëngjesin e sotëm në orën 08:00 dhe do të përfundojë sonte në orën 20:00, pas së cilës priten parashikimet e para të rezultateve zgjedhore, shkruan Reuters, përcjell FolDrejt.
Mënyra e votimit në Francë brez pas brezi
Në zgjedhjet e sotme presidenciale, votuesit francezë votojnë në të njëjtën mënyrë si brezat më parë: fletët e votimit në letër futen personalisht në kutinë e votimit dhe pas mbylljes së qendrave të votimit, ato do të numërohen me dorë.
Pavarësisht thirrjeve periodike për më shumë fleksibilitet ose modernizim, Franca nuk mund të votojë me postë, nuk ka votim të hershëm dhe nuk përdoren makineri votimi masive, si në Shtetet e Bashkuara.
Francezët në Shangai nuk mund të votojnë për shkak të bllokimit
Francezët që jetojnë në qytetin më të madh kinez, Shangai, nuk do të mund të votojnë në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që nisën mëngjesin e sotëm, për shkak të izolimit të vendosur për shkak të valës së re të Covid-19, sipas mediave franceze.
Gjatë javës së kaluar, Shangai është mbyllur plotësisht për shkak të përhapjes së virusit korona./FolDrejt/