Republika Çeke ka dërguar disa tanke T-72 dhe automjete luftarake të këmbësorisë BVP-1 në Ukrainë, raporton reuters, duke cituar një burim nga sektori çek i mbrojtjes.
Kështu ai ka konfirmuar pretendimet e televizionit çek, i cili ka publikuar në Twitter pamjet e trenit me pesë tanke dhe pesë mjete luftarake.
Siç thuhet, dërgesa është një dhuratë që është rënë dakord me aleatët e NATO-s.
Televizioni tha se këtë informacion e konfirmoi kreu i komisionit për çështje evropiane të dhomës së ulët të parlamentit çek, Ondrej Benešik, i cili tha për reuters se këtë e kishte mësuar nga një ekspert i mbrojtjes nga Partia e tij Kristian Demokratike.
Një burim i reuters nga sektori çek i mbrojtjes konfirmoi gjithashtu se tanke dhe automjete luftarake ishin dërguar në Ukrainë, por nuk pranoi të fliste për detajet e dërgesës për arsye sigurie.
Ministrja çeke e Mbrojtjes, Jana Chernohova u tha ligjvënësve se nuk do të konfirmonte dhe as mohonte detajet e ndihmës çeke për Ukrainën.